Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi me “Lidhjen e Bizneseve të Kosovës”, duke hapur mundësi të reja për iniciativa të përbashkëta ndërmjet universitetit dhe sektorit privat në Kosovë.

Ky memorandum ka për synim ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme për shkëmbimin e ekspertizës, përvojës dhe resurseve të përbashkëta, me qëllim përgatitjen sa më të mirë të studentëve për tregun e punës dhe kontributin e përbashkët në zhvillimin ekonomik të vendit.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari i shoqëruar nga prorektorët, mirëpriti delegacionin e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, të udhëhequr nga Presidenti z. Besart H. Dreshaj, dhe theksoi gatishmërinë e universitetit për një bashkëpunim të tillë. Ai vlerësoi se avancimi i partneritetit mes universitetit dhe bizneseve është ndër objektivat strategjikë të universitetit, duke theksuar se thellimi i bashkëpunimit me industrinë i mundëson studentëve të fitojnë përvoja reale dhe të lidhura ngushtë me kërkesat e tregut të punës.

Nga ana tjetër, Presidenti i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Dreshaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit të biznesit dhe arsimit të lartë. Ai bëri të ditur se kjo lidhje është duke zgjeruar rrjetëzimin dhe bashkëpunimin me institucione të arsimit të lartë dhe oda të ndryshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Sipas tij, bashkëpunime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit, duke krijuar mundësi konkrete për rritjen e vendeve të punës.

Në fund të takimit, delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës u shoqërua nëpër hapësirat e Universitetit, ku pati mundësinë të njihet nga afër me ambientet moderne dhe kushtet që ofrohen për studentët. Të ndarë të kënaqur me atë që panë, përfaqësuesit e delegacionit shprehën vullnetin për të vazhduar me projekte konkrete të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit dhe ekonomisë në vend.