Sot, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), priti në takim një delegacion nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), në kuadër të konkretizimit të bashkëpunimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.

Delegacioni i UEJL, i përbërë nga Prof. Dr. Sadudin Ibraimi – Prorektor për planifikim dhe ndërmarrësi, Prof. Dr. Florije Ismaili – Këshilltare për planifikim akademik dhe digjitalizim, Doc. Mr. Rakib Amdiu – U.d. Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Prof. Dr. Mentor Hamiti, u prit nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, së bashku me prorektorët e universitetit.

Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit, përfshirë organizimin e vizitave studimore për studentët, konferenca të përbashkëta, zhvillim të projekteve kërkimore dhe shkencore, hartim të programeve të përbashkëta të studimit, si dhe mobilitet të stafit akademik dhe studentëve. U diskutua gjithashtu angazhimi i profesorëve në procesin mësimor dhe në mbikëqyrjen e temave të masterit dhe doktoratës, shfrytëzimi i marrëveshjeve me biznese për praktikat profesionale, përdorimi i infrastrukturës universitare për qëllime akademike dhe praktike, si dhe çështje të tjera me interes të ndërsjellë.

Rektori Bajraktari falënderoi delegacionin për vizitën dhe vlerësoi lartë përkushtimin e përbashkët për avancimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe më gjerë.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e UEJL vizituan hapësirat e UShAF, ku u njohën nga afër me laboratorët, sallat e mësimit, projektet e studentëve dhe ambientet tjera që shërbejnë për realizimin e procesit akademik.