Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj patën kënaqësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga zëvendëspresidenti për evoluim të rrjetit dhe strategji i “T-Mobile” në Gjermani, z. Driton Emini, i cili ndau me ta njohuritë dhe përvojën e tij në fushën e teknologjisë, dixhitalizimit dhe menaxhimit të kompanive të mëdha ndërkombëtare.

Fillimisht z. Emini u prit nga rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili e falënderoi përzemërsisht për gatishmërinë për të ndarë ekspertizën e tij me studentët e UShAF, duke e cilësuar këtë si një mundësi të çmuar për të rinjtë që synojnë karrierë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Nga ana e tij, z. Emini shprehu falënderime të thella për mikpritjen dhe vlerësoi atmosferën e ngrohtë dhe bashkëpunuese të Universitetit, duke theksuar se në UShAF ndihej si në ambientin e tij familjar. Në fjalën e tij para studentëve, ai ofroi një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi aktivitetet strategjike të “T-Mobile”, një ndër kompanitë më të fuqishme dhe inovative në sektorin evropian të telekomunikacionit. Ai foli për mënyrën e funksionimit të kompanisë, projektet madhore në të cilat është përfshirë, si dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë viteve.

Në vijim, Emini ndau njohuri të vlefshme rreth tendencave më të fundit në teknologji informative, menaxhim strategjik, transformim digjital dhe zhvillimet përtej teknologjisë. Ai gjithashtu diskutoi ndikimin e rrjeteve sociale dhe platformave digjitale në industrinë e telefonisë mobile.

Me prejardhje nga Gjilani, Driton Emini ka emigruar që në moshë të re, po me suksesin dhe angazhmin që ka treguar, tashmë prej vitesh ushtron funksione të larta në “T-Mobile”, kompani që mban një pozicion udhëheqës në tregun evropian të telekomunikacionit.