Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në kuadër të aktiviteteve të projektit GITEKA, gjatë datave 17 dhe 18 nëntor 2026, do të organizojë dy aktivitete që synojnë avancimin e mësimdhënies dhe modernizimin e arsimit të lartë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Aktiviteti i parë do të mbahet më 17 nëntor 2026, në ora 14:00, në ambientet e UShAF-it, me ligjëratën pilot me temë “Testimi Inovativ i Moduleve për Mësimdhënie për Transformimin e Gjelbër të Industrisë”. Ky aktivitet ka për qëllim testimin e qasjeve dhe moduleve inovative të mësimdhënies, duke vënë në fokus përgatitjen për transformimin e gjelbër të industrisë.

Ndërsa, më 18 nëntor 2026, në ora 10:00, në Kolegjin Universum, partner i projektit, do të mbahet punëtoria me palët e interesit me temë “Modernizimi i Kurrikulës në Arsimin e Lartë për një të Ardhme të Qëndrueshme”. Punëtoria synon të nxisë bashkëpunimin dhe diskutimin ndërmjet palëve të interesit për përshtatjen dhe avancimin e programeve të arsimit të lartë me kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes këtyre aktiviteteve, UShAF vazhdon angazhimin në kuadër të projektit GITEKA, duke kontribuar në inovacionin në mësimdhënie, përmirësimin e kurrikulave dhe promovimin e transformimit të gjelbër në industri dhe arsim të lartë.