Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) priti një delegacion nga SAXION University of Applied Sciences në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me këtë universitet.

Delegacioni i universitetit holandez kryesohej nga Janco Bonnink, Menaxher i shërbimeve studentore, dhe përbëhej nga:

  • Christiaan Kiffen, Menaxher i sigurisë & mbrojtjes së programeve
  • Joyce te Bos, Menaxhere e grupit kërkimor për demokracinë e qëndrueshme
  • Anne Wichers, Koordinatore e programit Erasmus
  • Gerry Stegeman, Drejtues i ndërkombëtarizimit në shkollën e qeverisjes, ligjit dhe zhvillimit urban

Delegacioni u prit nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe stafi menaxherial i universitetit.

Rektori Bajraktari shprehu mirënjohjen për vizitën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis dy institucioneve, duke theksuar se të dy universitetet e shkencave të aplikuara ndajnë ambicie të përbashkëta për zhvillimin akademik dhe kërkimor, të orientuar drejt praktikës dhe bashkëpunimit me industrinë.

Gjate takimit, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit e cila hap rrugën për bashkëpunim në fusha si:

  • Shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik
  • Programe të përbashkëta ose të dyfishta të diplomimit
  • Kërkime shkencore të përbashkëta
  • Trajnime dhe projekte të tjera akademike

Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të UShAF dhe ofron mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik

Në përfundim të takimit, delegacioni nga SAXION University of Applied Sciences vizitoi ambientet e UShAF, ku u njohën nga afër me kapacitetet infrastrukturore dhe laboratorët e universitetit.

This post is also available in: English