Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj mbajti tryezën shkencore me temën “Ndikimi i digjitalizimit në strategjinë e biznesit”.

Tryeza u organizua nga  Fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës në bashkëpunim me  Fakultetin e Mjedisit dhe Turizmit  të UShAF, dhe dy fakultete tjera të universiteteve publike të Kosovës: Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit të Mitrovicës.

Tryeza mblodhi në diskutim të përbashkët akter të dikastereve të ndryshme,  si: Profesorë të fushave përkatëse të Universiteteve Publike të Kosovës, Përfaqësues nga njësitë publike përkrahëse dhe stimuluese të transformimi digjital në Kosovë, Përfaqësues të bizneseve, si dhe Profesor dhe student të UShAF.

Fillimisht të gjithë të pranishmit i përshëndeti Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, duke i përgëzuar për temën e zgjedhur për diskutim, dhe duke folur për prioritetet e Universitetit që ai drejton drejt digjitalizimit dhe gatishmërisë se stafit akademik për të kontribuar në transformim digjital të komunitetit të biznesit dhe më gjerë.

Dekanët e dy fakulteteve nikoqi të ngjarjes, Prof. As. Bashkim Çerkini dhe Prof.As. Dr. Petrit Hasani; Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në UP, Prof.Asoc. Isak Shabani, si dhe profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Mitrovicës  Prof.As. Muzafer Shala, njoftuan pjesëmarrësit mbi qëllimin e ngjarjes, rëndësisë së digjitalizimit në operim të organizatës dhe zhvillimet e bëra në nivel nacional dhe kombëtar në drejtim të zhvillimit të strategjive për digjitalizim.

Tryeza u arsyetua nga Prorektorja për Digjitalizim, Inovacion dhe Teknologji të Informacionit në UShAF, Prof.As.Dr. Fakije Zejnullahu, e cila theksoi rëndësinë e këtij diskutimi për biznese për shkak të mungesës se një plani konkret për integrimin e digjitalizimit në orientim strategjik të bizneseve, kjo me qëllim për të nxitur orientimin e  strategjive të biznesit kah transformimi digjital dhe inovacioni.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, z. Balton Dërguti shpalosi idenë e Komunës së Ferizajt për subvencionimin e bizneseve në procesin e digjitalizimit dhe veprimet që komuna planifikon të ndërmarrë në identifikimi të nevojave të bizneseve për digjitalizim. Ndërsa udhëheqësi i projektit KREN(projekt i programit KODE),  z. Atif Bashani njoftoi bizneset mbi  zhvillimet që ka bërë KODE drejt ndërtimit të infrastrukturës së Internetit për shfrytëzim nga qytetaret e zonave rurale ku ISP nuk kishin arritë të shtrijnë shërbimet e tyre të Internetit,  ndërtimin e Qendrës së te dhënave sipas standardeve ndërkombëtare e vënë në shfrytëzim të Universiteteve të Kosovës, dhe aktivitetet e realizuara nga ky projekt në drejtim të ngritjes së kapaciteteve te të rinjve Kosovar për shfrytëzim të teknologjive të reja të TIK-ut.

Diskutimi u zgjerua me përfshirje të përfaqësuesve të bizneseve, profesor dhe studenteve të UShAF. Të pranishmit e vlerësuan të rëndësishme mbajtjen e kësaj Tryeze shkencore, dhe uruan që kjo të jetë një fillim i mbarë i zhvillimeve të tilla të radhës, ku do të diskutojnë bashke të gjithë palët e interesit.

This post is also available in: English