Fakulteti i Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit në UShAF vazhdon të ofrojë një eksperiencë akademike që shkon përtej klasës, duke kombinuar mësimin teorik me atë praktik në bashkëpunim me profesorë dhe studentë nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg (FH Salzburg).
Studentët prezantuan raste studimore konkrete nga Kosova dhe Austria, duke trajtuar tema kyçe si Analiza e Ciklit Jetësor (LCA), planifikimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm, si dhe aspektet ekologjike të zhvillimit urban dhe ekonomik. Prezantimet janë zhvilluar nën udhëheqjen akademike të prof. Lutz Dorsch dhe prof. Simon Kindelbacher, duke nxitur shkëmbimin e dijes ndërkombëtare dhe aftësive praktike. Ky aktivitet është një shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i lidhjes së arsimit me praktikën profesionale, duke kontribuar në formimin e studentëve si profesionistë të gatshëm për sfidat e zhvillimit modern urban dhe ekonomik. Në ditën e fundit të aktivitetit ishin të pranishëm dhe kontribues edhe Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, z. Arbër Bytyqi, si dhe Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, z. Balton Dërguti.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, së bashku me Dekanin e Fakultetit, Ligj. Dr. Sc. Bujar Jashari, vlerësuan lart këtë iniciativë, duke theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt arsimimit modern dhe praktik. Ai u jep studentëve mundësinë të zhvillojnë aftësi reale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit, ndërkohë që UShAF vazhdon të ndërtojë ura të dijes që lidhin Kosovën me botën.










