Promovohet “Sistemi për Menaxhimin e Dokumenteve të Universitetit”, i zhvilluar nga studentët e UShAF-it.

Në UShAF u zhvillua ngjarja promovuese e “Sistemit për Menaxhimin e Dokumenteve të Universitetit-SMDU”, i cili u zhvillua për nevojat e Universitetit nga studentët e vitit të parë, të drejtimit “Informatikë e Aplikuar”, në UShAF.

Studentët: Valdrin Hasallari, Agron Haziri, Agona Bytyçi dhe Sedat Berisha, pas një pune disamujore, të udhëhequr nga Prof. As. Dr. Fakije Zejnullahu, finalizuan Sistemin për Menaxhimin e Dokumenteve të Universitetit, si detyrë e përcaktuar në kuadër të aktiviteteve vlerësuese të dy lëndëve: “Bazat e të dhënave “ dhe Programimi i Orientuar në Objekte”.

Ky sistem do të lehtësoj dhe përmirësoj shumë procesin e regjistrimit, dhe menaxhimit të vendimeve, rregulloreve të të gjitha llojeve dhe dokumenteve tjera që prodhon administrata e UShAF, duke lejuar qasje në dokumente për personat e verifikuar dhe të autorizuar.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i kënaqur nga puna e studentëve, i përgëzoi ata dhe profesoreshën për projektin, dhe tha se menjëherë do të fillohet me aplikimin e këtij sistemi në Universitet, dhe se tani e tutje çdo dokument do të regjistrohet dhe kërkohet përmes këtij sistemi. Ai i siguroi të gjithë studentët pjesëmarrës në ngjarje se do të jetë mbështetje e përditshme në secilin aktivitetet inovativ të tyre, në interes të Universitetit dhe komunitetit në tërësi.

Ndërsa, profesoresha Fakije Zejnullahu u shpreh se ishte kënaqësi të punojë me këta studentë, dhe se ky është projekti i parë, por jo i vetmi i realizuar nga studentët e vitit të parë, të drejtimit “Informatikë e Aplikuar”. Poashtu, ajo tha se shumë aktivitete të tilla të ngjashme do të ketë në vijim edhe nga studentë tjerë, kjo sepse ata ishin shume aktiv dhe të përkushtuar gjatë gjithë vitit akademik. Profesoresha uroi që sa më shumë studentë të tillë t’i bashkohen Universitetit tonë.

Funksionaliteti i plotë i sistemit dhe mundësitë u prezantuan në këtë ngjarje nga studentët, ndërsa Kodi Burimor, së bashku me manualet e përdorimit iu dorëzuan Rektorit të UShAF-it.

This post is also available in: English