Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Prof. As. Dr. Petrit Hasanaj, profesorë dhe studentë të këtij Fakulteti, sot dhanë kontributin e tyre në hartimin e strategjisë për zhvillimin e turizmit në komunën e Ferizajt.
Rektori Bajraktari tha se është kënaqësi që të jetë pjesë e hartimit të kësaj strategjie, pasi që sipas tij turizmi është një faktor shumë i rëndësishëm në ngritjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ai u zotua se së bashku me Dekanin Hasanaj, stafin e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, si dhe me studentët e këtij Fakulteti, do të japin kontributin e tyre në zhvillimin dhe finalizimin e kësaj strategjie, për të mirën e qytetit të Ferizajt.
Ndërsa, Dekani Hasanaj foli për rëndësinë e zhvillimit të strategjisë e mbi të gjitha kur flitet për strategjinë zhvillimore të turizmit, kur dihet që turizmi është profesioni i së ardhmes. Ai u zotua se do të japin gjithë kapacitetin profesional dhe intelektual mbi hartimin e kësaj strategjie.
Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, z. Balton Dërguti, i cili bëri hapjen e kësaj Punëtorie tha se hartimi i kësaj strategjie po bëhet për herë të parë në Komunën e Ferizajt që nga periudha e pas luftës, strategji e cila mungonte dhe i duhej komunës së Ferizajt, pasi që Ferizaj ofron mundësi të mëdha dhe ka potenciale për zhvillimin e turizmit. Ai gjithashtu, u shpreh i lumtur që kjo strategji po hartohet me njerëz profesionist të kësaj fushe dhe se është fat i madh që qytetin e Ferizajt është Fakulteti i Turizmit dhe Ambientit.
Prof. As. Dr. Hysen Sogojeva, kryetar i Odës dhe Hotelierisë së Kosovës, njëherit edhe profesor në UShAF, tha se është është hera e parë që një komunë në Kosovë, harton strategji me një grup të tillë punues, në të cilin ka profesionistë të të gjithë fushave që i takojnë hotelerisë dhe turizmit.
This post is also available in: English