Në një ceremoni solemne të organizuar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, këtij institucioni iu shtua edhe një figurë e shquar akademike ndërkombëtare — Prof. Dr. Murat Barut nga Niğde Ömer Halisdemir University në Turqi, i cili u nderua me titullin “Anëtar Nderi i Universitetit”.
Ky titull, që përfaqëson një nga format më të larta të vlerësimit që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj i akordon personaliteteve të shquara, iu dha Profesor Barutit në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e tij të frytshëm me UShAF-in, për kontributin në zhvillimin akademik dhe për mbështetjen e arsimit të lartë dhe shkencës në Kosovë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi se Prof. Barut përfaqëson një shembull frymëzues të përkushtimit, pasionit dhe ekselencës akademike, duke ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare në universitete prestigjioze si Erciyes University, Niğde University, Istanbul Technical University, University of Alaska Fairbanks, dhe University of Michigan–Dearborn.
Rektori Bajraktari vlerësoi gjithashtu kontributet shkencore të Profesor Barutit në fushat e sistemeve të kontrollit, elektronikës së fuqisë, makinerive elektrike dhe inteligjencës artificiale, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin teknologjik dhe në avancimin e inovacionit e qëndrueshmërisë shkencore.
“Për ne, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ju jeni më shumë se një akademik i dalluar – jeni mik i afërt, bashkëpunëtor i çmuar dhe frymëzim për të gjithë ne”, u shpreh Rektori Bajraktari gjatë fjalës së tij, duke shtuar se ky titull simbolizon miqësinë e sinqertë dhe respektin akademik mes institucioneve dhe popujve tanë.
Në fjalën e tij falënderuese, Prof. Dr. Murat Barut u shpreh thellësisht mirënjohës për këtë nderim, duke theksuar lidhjet e forta akademike dhe njerëzore mes Kosovës dhe Turqisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin e gjatë me kolegët nga Kosova dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në studime të avancuara, duke theksuar se sukseset e tyre përfaqësojnë shembuj të shkëlqyer të përkushtimit dhe miqësisë akademike ndërmjet dy vendeve.
“Kam parë nga afër përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin e palodhur të kolegëve nga Kosova për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të kontribuar në vendin e tyre. Ky vlerësim është një nder i madh për mua dhe një shenjë e miqësisë sonë të përbashkët,” tha Prof. Barut.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin e titullit “Anëtar Nderi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj” dhe me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje e respekti për kontributin e Profesor Barutit në avancimin e arsimit, shkencës dhe miqësisë mes Kosovës dhe Turqisë





