Studentët e Fakultetit të Turizmit patën një përvojë të jashtëzakonshme në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2026”, ku, përveç pjesëmarrjes si vizitorë, ata luajtën një rol aktiv dhe të rëndësishëm në mbarëvajtjen e këtij eventi ndërkombëtar.
Gjatë këtyre ditëve dinamike, studentët tanë kontribuan drejtpërdrejt në aktivitetet e panairit, në mirëpritjen e mysafirëve dhe në koordinimin e proceseve të ndryshme organizative, duke fituar përvojë praktike të vlefshme dhe duke demonstruar profesionalizëm të lartë.
Kjo përfshirje jo vetëm që pasuroi njohuritë e tyre akademike me përvojë reale nga terreni, por gjithashtu forcoi lidhjen mes arsimit dhe industrisë së turizmit, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut të punës.
Në këtë aktivitet, studentët u shoqëruan dhe u udhëhoqën nga Prof. Asoc. Dr. Petrit Hasanaj, i cili ishte pjesë aktive së bashku me ta gjatë gjithë panairit, duke mbështetur dhe inkurajuar angazhimin e tyre.
Panairi “Kosova 2026” shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim idesh, krijim bashkëpunimesh dhe promovim të potencialit turistik të vendit, ndërsa studentët tanë dëshmuan se janë një aset i çmuar për zhvillimin e këtij sektori.








