Ndarja nga jeta e diplomatit austriak, Erhard Busek, ishte humbje e madhe për botën dhe të gjithë ata që duan paqe dhe punojnë e luftojnë çdo ditë për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, për të cilat punoi gjatë gjithë jetës profesori Busek.
Por, shqiptarët në Kosovë e ndjenë dhimbjen më shumë se kushdo tjetër, sepse Erhard Busek ishte mik i ditëve të vështira për Kosovën. Në vitet e 90-ta, kur mësimdhënësit, prindërit, nxënësit dhe gjithë qytetarët po mundoheshin të mbanin në jetë arsimin shqip, profesori Busek, që në atë kohë ishte edhe Ministër i Arsimit, zgjati dorën e ndihmës së shtetit të tij për Kosovën.
Kështu, Austria u bë vendi i parë në Europë që njohu diplomat e Universitetit të Prishtinës dhe hapi dyert e universiteteve austriake për studentët tanë, duke dhënë fuqi dhe shpresë te ata, se lufta e drejtë për arsim në gjuhën e tyre po gjente miq në Europë.
Madje, falë punës dhe përkushtimit të profesorit Busek, me shtetin austriak nuk lidhet vetëm mbijetesa e Universitetit, por edhe zhvillimi i arsimit të lartë në liri, pasi që Austria u bë edhe partneri më i rëndësishëm zhvillimor.
Me z. Busek jam takuar për herë të parë në vitin 2006, por edhe në vazhdim, kur ishte rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara ne Salzburg. Ai ishte i përkushtuar që shkencat e aplikuara të zhvilloheshin edhe në Kosovë. Falë këtij bashkëpunimi, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i cili ishte në kuadër të Universitetit të Prishtinës u profilizua saktësisht bazuar në rekomandimet e tij.
Erhard Busek dha kontribut të madh në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), duke e lidhur këtë institucionin me Universitetin e Shkencave te Aplikuara te Salzburgut, i cili u bë modeli më i mirë për zhvillimin dhe funksionimin e UShAF.
Për gjithë kontributin e tij, Erhard Busek i është dhënë titulli “Doktor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës. Përtej kësaj, Ai mbetet përgjithmonë në historinë tonë më të re, në historinë e lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit, si një nga emrat më të nderuar.
Mirënjohje të përjetshme, mik i madh i Kosovës, Erhard Busek!
Prof. Dr. Agron Bajraktari,
Rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj
This post is also available in: English