Në sheshin “Adem Jashari” në Ferizaj, sot u hap “Panairi i Punës 2023”, i organizuar nga Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Odën Ekonomike në Ferizaj, Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë, i mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Kosova.
Në hapjen solemne të Panairit, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme për Universitetin.
“Jemi shumë të lumtur që UShAF është bashkëpjesëmarrës në organizimin e këtij Panairi, i cili është i pesti me radhë i këtij lloji. Shpresojmë shumë që në të ardhmen në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt do ta bëjmë traditë që çdo vit së bashku të organizojmë Panairin e Punës dhë Karrierës. Universiteti ynë ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të qëndrueshëm me industrinë, bashkëpunim ky që është duke dhënë rezultate të jashtëzakonshme në edukimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë, sepse duke punuar së bashku me ta, ne po i njohim më mirë kërkesat e tregut të punës, të cilat pastaj po barten në programet tona në universitet dhe në këtë mënyrë studentët tanë po përfitojnë aftësi e shkathtësi që sapo të diplomohen të jenë të gatshëm nga ana profesionale që t’u përgjigjen kërkesave të tregut të punës”, tha Rektori.
Gjithashtu, Rektori përmendi Kompanitë pjesëmarrëse në Panair, të rajonit të Ferizajt, të cilat ofruan shumë vende për punë të rregulltë, në fusha të ndryshme, si dhe punë praktike për studentët dhe të diplomuarit e UShAF dhe më gjerë. Po ashtu, ai tha se interesimi i madh i kompanive për të marr pjesë në Panair, është një motiv i madh për Universitetin që të punojë edhe më shumë në zhvillimin e tij. Rektori tha se kjo tregon besueshmërinë e tyre në UShAF dhe për këtë i falënderoi dhe ju premtoi se UShAF do të vazhdojë të jetë pranë tyre dhe gjithmonë do t’i përfillë kërkesat e tyre për të arritur suksese të vazhdueshme në zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit, gjë që përmbush edhe misionin e tij.
Ndërsa, nënkryetari i komunës së Ferizajt, z. Lulzim Aliu, u shpreh i lumtur me prezencën e kompanive në këtë Panair dhe mes tjerash theksoi se ky është një reflektim i një iniciative shumë të mirë që ka ndërmarrë Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik.
Të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi edhe Arjeta Vula–Pozhegu–Drejtore e Shoqatës së Përpunuesëve të Drurit, Kumrije Kelmendi-Aliu-Këshilltare nga Giz-i Gjerman dhe Naim Gashi-Drejtor i Qendrës Rajonale të Punësimit në Ferizaj.
Me qëllim të gjetjes së punëtorëve potencial, në këtë Panair, mbi 50 kompani nga sektorë të ndryshëm prezantuan pozitat e tyre të reja, duke ofruar mbi 200 vende të punës, me ç’rast do të përfitojnë punësim një numër i konsiderueshëm i studentëve të UShAF.
This post is also available in: English