Sot, më 27 maj, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF), hapi ekspozitën e tetë “Profesionistët e së Ardhmes”, e cila organizohet çdo vit në UAFS dhe studentët e shfaqin talentin e tyre përmes punimeve të ndryshme.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, hapi zyrtarisht ekspozitën, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e UShAF, veçanërisht bizneset, për të cilët tha se falë bashkëpunimit me ta Universiteti ka arritur suksesin që e ka sot. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për profesorët dhe studentët për përkushtimin e tyre në promovimin e vlerave të Universitetit. Sipas tij, kjo përpjekje ka bërë që UShAF të bëhet një model i shkencave të aplikuara në Kosovë dhe rajon. Rektori, poashtu theksoi se ndjehet krenar që UShAF nga gjashtë universitetit publike të Kosovës, rangohet i dyti pas Universitetit të Prishtinës me akreditim pesë vjeçarë. Nuk mund të lëmë anash edhe ata që dhanë kontributin dhe jetën për liri, ngase falë tyre ne sot kemi mundësinë të zhvillohemi krahas shteteve tjera, shtoi ai më tutje.

 

Anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësië, z. Gëzim Tosuni, tha se qëllimi i këtij institucioni është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë. Ai shtoi se në UShAF krahasuar me universitetet tjera, sigurimi i cilësisë me zhvillimin e shkathtësive akademike dhe profesionale është më pak sfidues, për shkak se shkathtësitë e tyre i aplikojnë në praktikë duke prodhuar produkte konkrete, përderisa në universitetet tjera kualiteti i shkathtësive shihet pasi studentët të bëhen pjesë e tregut të punës. Gjithashtu, ai tha se ndjehet i lumtur që sot është në këtë ngjarje dhe sipas tij UShAF, për dallim nga universitetit tjera, ka realizuar punë jashtëzakonisht të mirë në ngritjen e cilësisë së universitetit.

 

Kryetari i Bordit Industrial të UShAF, z. Enver Haziri, tregoi për suksesin e vazhdueshëm që Universiteti kishte prej që ai ishte student në këtë institucion e deri më tani. Gjithashtu, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e vazhdueshëm që Universiteti ka me bizneset.

 

Përfaqësuesja e Shoqatës së Përpunimit të Drurit, znj. Arjeta Vula Pozhegu, falënderoi Rektorin Bajraktari dhe stafin akademik të UShAF që ishin ndër themeluesit e kësaj Shoqate, e cila tanimë ka marrë jehonë në zhvillimin e këtij institucioni, duke forcuar rrjetin e bashkëpunimit në mes të bizneseve të përpunimit të drurit në Kosovë. Shoqata cdo vit organizon garë ku studentët e të gjitha universiteteve në Kosovë marrin pjesë me projektet e tyre. znj. Vula theksoi se cdo vit studentët e UShAF, fitojnë njërin nga tri vendet e para dhe se këtë vit inovacioni dhe kreativiteti i studentëve të UShAF u vlerësua me çmimin e parë.

 

Ngadhnjim Ismani, fitues i vendit të parë në organizimin e fundit të Garës studentore për Dizajn, të mentoruar nga profesori Faton Spahiu, falënderoi Kompaninë në të cilën është realizuar dizajni dhe prodhimi i produktit “Daqa “, gjithashtu edhe Universitetin i cili përmes bashkëpunimit me industrinë i ka mundësuar realizimin e projektit.

 

Suksesi i studentëve u dëshmua edhe nga studentja Lorita Rama, e cila tregoi për sukseset e biznesit të vet falë shkathtësive të fituara nga UShAF.

Ndërsa, Kryetarja e Parlamentit Studentor, Leona Jahiri tha se për ne studentët është nderë dhe kënaqësi që edhe këtë vit të ju mirëpresim në hapësirat e univeristetit tonë për të parë nga afër punën tonë të realizuar gjatë gjithë vitit akademik. Ajo tha se falë mbështetjes së Rektorit Bajraktari dhe punës e angazhimit të palodhshëm të të gjithë profesorëve dhe studentëve, sot arritëm të realizojmë këtë ekspozitë.

This post is also available in: English