Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj presionit dhe kërcënimeve të pretenduara që, sipas deklarimeve të Afrim Lokut, po bëhen në emër të Ministrit Hajrullah Çeku

Sipas asaj që Afrim Loku ka deklaruar, nëse ai nuk pranohet si person i autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit, Ministri Hajrullah Çeku do të ndërmarrë masa për ndalimin e fondeve për Universitetin dhe nuk do të lejojë akreditimin e programeve të tij studimore.
Nëse këto deklarime janë bërë në këta terma, atëherë kemi të bëjmë me një presion jashtëzakonisht serioz ndaj një institucioni publik të arsimit të lartë. Përdorimi i financimit publik dhe procesit të akreditimit si mjete presioni për të imponuar një person në një pozitë drejtuese është i papranueshëm dhe kërkon përgjegjësi institucionale.
Financimi i Universitetit nuk është pronë private e ministrit, ndërsa akreditimi i programeve nuk është instrument për shantazh politik!
Është e papranueshme që e ardhmja e studentëve, stafi akademik dhe funksionimi i një institucioni publik të përdoren si mjete presioni për të realizuar një emërim të caktuar.
Për më tepër, pozita e personit të autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit, siç po kërkohet të imponohet, nuk parashihet në mënyrë të shprehur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe as në Statutin e Universitetit. Asnjë pozitë apo kompetencë institucionale nuk mund të krijohet përmes presionit apo vullnetit individual të një zyrtari.
Hajrullah Çeku duhet ta dijë se Ministria e Arsimit nuk është pronare e universiteteve publike dhe se kompetencat ministrore nuk mund të përdoren për të ndëshkuar institucionet që nuk pranojnë emërime të imponuara.
Afrim Lokut i bëjmë të qartë se Universiteti nuk mund të funksionojë mbi bazën e ultimatumeve dhe kërcënimeve. Nëse ekziston bazë ligjore për pretendimin e tij, ajo duhet të argumentohet me dispozita konkrete, e jo të shoqërohet me kërcënime për ndaljen e fondeve dhe pengimin e akreditimit.
Për këtë arsye, kërkojmë:
1. Sqarim publik nga Ministri Hajrullah Çeku lidhur me deklarimet e bëra nga Afrim Loku.
2. Tërheqjen e menjëhershme të çdo kërcënimi apo presioni për ndalimin e financimit të Universitetit.
3. Garantimin se proceset e akreditimit do të zhvillohen në mënyrë të pavarur, profesionale dhe mbi kritere akademike e ligjore.
4. Respektimin e autonomisë universitare dhe të kompetencave të përcaktuara me ligj dhe Statut.
5. Mosndërhyrjen politike në proceset e qeverisjes dhe funksionimit të Universitetit.
Ne nuk do të lejojmë që studentët të bëhen viktima të mosmarrëveshjeve politike, që financimi publik të shndërrohet në mjet ndëshkimi dhe që akreditimi akademik të përdoret si instrument presioni.
Nëse Universiteti nuk pranon një emërim, nuk mund të ndëshkohet duke iu kërcënuar me mbyllje financiare dhe bllokim të programeve studimore. Kjo nuk është qeverisje institucionale, por një praktikë presioni që duhet të marrë përgjigjen e merituar ligjore dhe institucionale.
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj do ta mbrojë autonominë, ligjshmërinë dhe interesin e studentëve me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion.
UNIVERSITETI NUK NËNSHTROHET NDAJ ULTIMATUMEVE! LIGJI NUK ZËVENDËSOHET ME KËRCËNIME!
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj