Në ambientet e Departamentit të Arteve, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u hap ekspozita digjitale “FUTURE FRAMES”, realizuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) – një udhëtim në artin e së ardhmes, ku krijimtaria digjitale ndërthuret me teknologjinë dhe vizionin artistik. USHAF në këtë rast u përfaqësua nga një grup studentësh nën udhëheqjen e Dekanes së Fakultetit të Arteve, Lebibe Topalli.
Paralelisht, studentët e të dy universiteteve realizuan edhe disa murale artistike brenda objektit të Rektoratit të UNISHK, duke e shndërruar hapësirën në një mozaik ngjyrash dhe bashkëpunimi kulturor e akademik.Dekanja Topalli falënderoi UShAF-in për mbështetjen dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për mikpritjen dhe bashkëpunimin, veçanërisht Departamentin e Arteve. Ajo falënderoi gjithashtu studentët e pranishëm të Arteve të Aplikuara: Dren Osmani, Elba Gashi, Ensara Bajraktari, Gentrit Osmani, Erti Krivanjeva, Valmira Sylejmani, Neron Halili dhe Amin Murati.Ky bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve shërben si model se si arti, kultura dhe përvoja e ndarë mes të rinjve tanë mund të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi, duke krijuar një të ardhme më kreative dhe më të lidhur.
Fotografitë u realizuan nga studentja Valmira Sylejmani







