Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot, më 21 prill 2026, u mbajt një ligjëratë e organizuar në bashkëpunim me Doganat e Kosovës (Sektori për Pronësi Intelektuale), Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe Agjencinë për Pronësi Industriale.

Kjo ligjëratë u realizua në kuadër të muajit prill, i njohur ndërkombëtarisht si muaji i pronësisë intelektuale, duke u ofruar studentëve të UShAF mundësinë të informohen më gjerësisht rreth rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave autoriale dhe të pronësisë intelektuale.

Gjatë këtij aktiviteti, institucionet përkatëse, trajtuan tema të ndryshme, që, kryesisht, kishin të bënin me mbrojtjen e inovacionit në fushat siç janë inxhinieria, informatika, arkitektura dhe dizajni. U diskutua edhe rreth rolit të patentave, të dizajnit industrial dhe të markave tregtare, në zhvillimin e produkteve dhe e teknologjive të reja.

Poashtu, u prezantua edhe roli i të drejtës së autorit në mbrojtjen e krijimtarisë dhe të përmbajtjes digjitale. Përfaqësuesit e Doganave të Kosovës folën edhe rreth mbrojtjes praktike të të drejtave të pronësisë intelektuale. U trajtua identifikimi i produkteve të falsifikuara, si dhe ndikimi i tyre në biznes dhe tek konsumatori. U paraqitën edhe raste konkrete nga tregu.

Aktiviteti në fjalë shërbeu si mundësi e mirë që studentët dhe stafi akademik të informohen, nga institucionet përkatëse, më mirë rreth rolit të pronësisë intelektuale në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.