Menaxhmenti i Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, realizoi një vizitë zyrtare në Planet, një nga resortet më të veçanta gastronomike dhe turistike në rajon. Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga kryeshefi i Resortit, z. Sadri Halili, i cili i shoqëroi profesorët në një tur të plotë nëpër të gjitha ambientet e resortit, duke shpjeguar konceptin, funksionimin dhe filozofinë e mikpritjes.
Vizita përfshiu njohjen nga afër me hapësirat e brendshme dhe të jashtme të resortit, ku ndërthuren me mjeshtëri tradita dhe modernja. U prezantua dizajni unik dhe arkitektura me dru, elemente autentike dhe objekte tradicionale, të cilat krijojnë një ambient të ngrohtë dhe karakteristik, duke reflektuar identitetin kulturor dhe vlerat e trashëgimisë sonë.
Në kuadër të takimit, u diskutua edhe mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi, përmes së cilës studentët e UShAF do të kenë mundësi të realizojnë punë praktike profesionale në këtë Resort. Ky bashkëpunim do t’u mundësonte studentëve të shohin nga afër mikpritjen tradicionale, mënyrën e kombinimit të saj me qasjet moderne në shërbim, si dhe aspektet praktike të dizajnit, arkitekturës dhe menaxhimit në turizëm dhe hoteleri.
Rektori Bajraktari, tha se ambienti dhe koncepti që ofron Resorti Planet janë tejet të veçanta, duke theksuar se një kombinim i tillë i traditës, arkitekturës me dru dhe mikpritjes autentike rrallëherë gjendet në Kosovë. Ai vlerësoi lart potencialin që ky resort ofron si shembull praktik dhe frymëzim për studentët e universitetit.
Nga ana tjetër, Kryeshefi Halili shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e bashkëpunimit me UShAF, duke theksuar se është një privilegj të kontribuohet në formimin profesional të studentëve dhe në ndërlidhjen e dijes akademike me praktikën reale në sektorin e turizmit dhe gastronomisë.
Resort Planet është një resort që dallohet për cilësinë e shërbimit, konceptin unik, ruajtjen e elementeve tradicionale dhe harmonizimin e tyre me standardet bashkëkohore të turizmit. Me ambientet e tij karakteristike dhe qasjen profesionale, Planet përfaqëson një model të suksesshëm të zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të kulturës dhe mikpritjes kosovare.






