Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të ndërlidhjes së edukimit teorik me përvojën praktike profesionale, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Kompania Hoteliere “La Terrazza”, në Han të Elezit, nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi, me qëllim të aplikimit të njohurive teorike në praktikë. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Menaxheri i “La Terrazza”, z. Jeton Dernjani.
Kjo Marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të aftësive profesionale të studentëve përmes aplikimit të njohurive në një kontekst real të industrisë, ku do të përfitojnë studentët, duke i pajisur ata me aftësi inovative në aspektin praktik. Ky përfitim do të jetë i ndërsjellë, për faktin se edhe kompania në fjalë, do të përfitojë nga idetë e perspektivës akademike, përmes studentëve që do të realizojnë praktikën në këtë Kompani.
Rektori Bajraktari dhe Menaxheri Dernjani, veç tjerash u zotuan se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, do të realizojnë objektivat e planifikuara, të cilat do të ndihmojnë në ngritjen profesionale të studentëve të kësaj lëmie, gjë që do ta pasuronte komunitetin e biznesit me profesionistë të ri.
La Terrazza Hotel & Restaurant, një ndërthurje e një ambienti unik e të rehatshëm me ushqim të shijshëm italian do të jetë një destinacion i mirë për të gjithë studentët tanë që merren me turizëm e hoteleri.