Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Drejtoresha Menaxhuese e Institucioni edukativ BONEVET në Kaçanik, znj. Diana Luzha, sot nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për zhvillimin e aftësive praktike të studentëve të UShAF-it në këtë Institucion.
Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje shërben si bazë për realizimin e punës praktike një semestrale të studentëve të vitit të dytë dhe të tretë të UShAF në këtë institucion, zhvillim të hulumtimeve gjatë punimit të temës së diplomës, si dhe për angazhimin e Universitetit në zgjidhjen e problemeve praktike/shkencore të BONEVET.
Rektori Bajraktari, së bashku me prorektoren Prof. As. Dr. Fakije Zejnullahu, dhe dekanin e fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikë, Prof. As. Dr. Bashkim Çerkini u mirëpritën nga stafi i BONEVET, në mesin e të cilëve ishin edhe tre student të UShAF, tanimë punonjës të këtij institucioni.
Ekipi nga Universiteti u shoqërua nëpër të gjitha hapësirat e këtij biznesi, në të cilat fëmijët dhe të rinjtë e të gjitha moshave zhvillojnë aftësitë e tyre në teknologji të ndryshme, si: Robotikë, Programim për fëmijë dhe të rritur, Printimi 3D, CNC me modele 2D & 3D, Dizajn Grafik, etj. Gjithashtu, u njoftua mbi mënyrën e aftësimit për shfrytëzim të këtyre teknologjive përmes punës praktike, duke zhvilluar lojëra dhe aktivitete të ndryshme argëtuese.
Duke vlerësuar si shumë të përshtatshëm mjedisin dhe laboratorët e BONEVET për praktikë të studentëve, Rektori Bajraktari falënderoi znj. Diana Luzha dhe gjithë stafin e këtij Institucioni për mirëpritjen dhe të qenit të hapur për bashkëpunim.
This post is also available in: English