Në Universitetin Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u mbajt tryezë shkencore me temën “Sfidat e sektorit të Hotelierisë dhe Turizmit në Kosovë, pas pandemisë Covid 19”, organizuar nga Fakulteti i Turizmit dhe Ambientit.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari iu uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe tha se për Universitetin tonë është një ditë e veçantë, sepse në kushte pandemie kemi arritur të zhvillojmë këtë tryezë që ka të bëjë me sfidat që po ballafaqohet vendi ynë pas pandemisë Covid 19, në sektorin e hotelierisë dhe turizmit. Poashtu, Rektori falënderoi Dekanin e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Prof. As. Petrit Hasanaj për organizimin e kësaj tryeze shkencore.
Balton Dërguti, Drejtor i zhvillimit ekonomik dhe turizmit në komunën e Ferizajt, tha se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e përgjithshme, duke përfshirë edhe Kosovën dhe ka goditur edhe sektorin e hotelierisë dhe turizmit në komunën e Ferizajt, ku kanë pësuar edhe bizneset, por edhe punëtorët. Poashtu, ai tha se qyteti i Ferizajt ka një traditë të hotelierisë dhe turizmit dhe tani jemi të lumtur që kemi edhe Universitetin i cili ka nda një drejtim të kësaj fushe që të profesionalizojë të rinjtë që të kontribojnë në këtë drejtim.
Prof. Dr. Elton Noti nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, përgëzoi dekanin Hasanaj për organizimin e kësaj tryeze dhe tha se duhet të zhvillojmë politika të përbashkëta për të zhvilluar turizmin në Kosovë dhe Shqipëri.
Bekim Haxhiu, Drejtor i Departamentit të Turizmit nga Ministria e Turizmit në Maqedoninë e Veriut, z. Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës Hoteliere të Shqipërisë, si dhe znj. Afërdita Hoxha nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, e mirëpritën dhe përshëndetën këtë tryezë në këtë kohë mjaftë sfiduese për sektorin e hotelierisë dhe turizmit. Gjithashtu, shprehën gatishmërinë që të bashkëpunojnë në organizimin e tryezave të tilla në të ardhmen, në mënyrë që kjo t’i shërbejë zhvillimit të këtij sektori.
Ndërsa, Prof. As. Dr. Hysen Sogojeva para të pranishmëve prezantoi një kumtesë shkencore me titull “Sfidat e sektorit dhe hotelierisë dhe turizmit në Kosovë, pas pandemisë Covid 19”.
This post is also available in: English