Në kuadër të iniciativave për zhvillimin e programeve të reja akademike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, një delegacion nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) realizoi një vizitë pune në Fakultetin e Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Sofjes në Bullgari.

Delegacioni në përbërje nga: Prof. Asoc. Dr. Bashkim Cerkini, Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, Prof. As. Dr. Flamur Salihu, Prof. As. Dr. Gjelosh Vataj, Prof. As. Dr. Labinot Topilla dhe Prof. Asoc. Dr. Naim Baftiu, u prit nga Prof. Asoc. Dr. Dafina Petkova, Dekania e Fakultetit të Matematikës dhe Informatikës, Prof. Asoc. Dr. Maya Stoyanova, si dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave, njohja me praktikat akademike të Universitetit të Sofjes dhe eksplorimi i mundësive për bashkëpunim në fushat e teknologjisë dhe inxhinierisë.

Në hapje të takimeve, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikës të UShAF-it, z. Bashkim Cerkini, falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla ndërinstitucionale. Ai foli për historikun e universitetit, programet që ofron fakulteti, si dhe misionin, vizionin dhe objektivat strategjike. Gjithashtu, dekani bëri të ditur se aktualisht fakulteti është në proces të zhvillimit të një programi të ri Master të Shkencave (MSc) në Informatikë të Aplikuar, i cili synon të plotësojë kërkesat në rritje të studentëve të diplomuar në nivelin Bachelor në këtë fushë. Ai theksoi se në rajonin tonë ekziston një nevojë e konsiderueshme për një program të tillë.

Gjatë takimit u vu në pah se në projektin për zhvillimin e këtij programi janë të përfshirë aktorë të ndryshëm, përfshirë profesorë, studentë dhe përfaqësues të bizneseve. Si pjesë e këtij procesi, delegacioni shprehu interesim të veçantë për të mësuar nga përvoja e Fakultetit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Sofjes, i cili ka një ekspertizë të fuqishme në këtë fushë.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e njohjes me strukturën e programeve të tyre dhe organizimin e kurrikulave, me qëllim identifikimin e modeleve dhe praktikave të mira që mund të ndihmojnë në hartimin dhe zbatimin e suksesshëm të programit të ri të UShAF-it.

Një tjetër pikë kyçe e takimit ishte promovimi i mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet dy universiteteve. Delegacioni i UShAF-it shprehu gatishmërinë për të pritur profesorë nga Universiteti i Sofjes për të ligjëruar në module të caktuara ose kurse të plota, dhe në të njëjtën kohë ofroi mundësinë që edhe stafi i UShAF-it të angazhohet në aktivitete të ngjashme në Sofje.

Gjithashtu, u shpreh interesi për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, që do të lehtësonte realizimin e projekteve të përbashkëta dhe do të formalizonte bashkëpunimin në të ardhmen.

Të dyja palët shprehën vullnetin për të avancuar këtë bashkëpunim dhe për të vazhduar komunikimin në nivel institucional. U ra dakord që bashkëpunimi të konkretizohet në këto drejtime: nënshkrimi i marrëveshjeve ndëruniversitare, përfshirja në projekte ndërkombëtare, zhvillimi i moduleve dhe programeve të përbashkëta, shkëmbime të rregullta të studentëve dhe stafit akademik.