Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Saxion University në Holandë, në kuadër të projekteve zhvillimore dhe iniciativave të brendshme akademike të fakulteteve të UShAF.
Gjatë kësaj vizite, Fakulteti i Turizmit dhe Ambientit prezantoi projektin inovativ “Tap and Travel”, një koncept i ri në sektorin e turizmit, i cili aktualisht nuk ekziston ende në Kosovë. Ky projekt synon të modernizojë mënyrën se si turistët orientohen dhe informohen për destinacionet turistike, duke integruar teknologjinë me përvojën praktike të udhëtimit.
Në këtë projekt janë të angazhuar edhe studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, të cilët përfaqësojnë motorin kryesor krijues të “Tap and Travel”. Kontributi i tyre shkon përtej detyrave të zakonshme akademike: ata kanë realizuar hulumtime të detajuara në terren, duke vizituar personalisht destinacionet turistike brenda dhe rreth rajonit të Ferizajt për të mbledhur informacione të sakta dhe autentike.
Ndërkohë, Fakulteti i Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë prezantoi projektin për krijimin e një programi të ri studimi në nivel master, konceptuar si një program bashkëkohor dhe i orientuar drejt parimeve të qëndrueshmërisë (sustainability). Ky program synon të reflektojë standardet moderne të edukimit, nevojat e tregut të punës dhe trendet e zhvillimit të qëndrueshëm në fushën e arkitekturës, dizajnit dhe teknologjisë. U prezantua gjithashtu edhe programi tjetër master i inicuar si Joint Degree, i cili përfaqëson një model të avancuar ndërkombëtarizimi dhe integrimi të praktikave evropiane në arsimin e lartë. Edhe në këtë projekt, studentët janë pjesë aktive të procesit, duke kontribuar me ide kreative, dizajne dhe analiza të nevojshme gjatë fazave përgatitore, me fokus të veçantë në qasjet inovative dhe të qëndrueshme.
Gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja dhe praktika të avancuara në organizimin e programeve akademike, zhvillimin e laboratorëve, qasjeve bashkëkohore mësimdhënëse dhe modeleve të integrimit të sustainability në kurrikula.
Përgjatë takimeve, përfaqësuesit e UShAF-it dhe Saxion University diskutuan mundësi të reja bashkëpunimi, shkëmbim të praktikave të mira, organizim të punëtorive dhe aktivitetesh të tjera që mbështesin zhvillimin institucional dhe akademik.
Në këtë vizitë morën pjesë Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, Prorektorët: Flamur Salihu, Etleva Blakaj, Kushtrim Cukaj, Dekanja e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Blerina Bytyçi, Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Bujar Jashari, Prodekanët: Pajtim Rrustemi dhe Lulzim Idrizi, profesoret: Mimoza Zhubi dhe Bashkim Thaçi, si dhe Udhëheqësi i Divizionit për komunikim publik, Xhemajl Uksmajli dhe Udhëheqësi i Divizionit për Buxhet dhe Financa, Lavdim Bajrami.










