Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Deutsche Telekom në Bonn, duke forcuar më tej angazhimin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin me industrinë. Delegacioni, i udhëhequr nga Rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Prof. Asoc. Dr. Artan Veseli, u prit nga përfaqësues të kompanisë, duke krijuar mundësi për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me një nga liderët globalë në telekomunikacion.
Vizita përbën një hap të rëndësishëm në lidhjen ndërmjet akademisë dhe industrisë, veçanërisht në kontekstin e transformimit digjital. Delegacioni u njoh me praktikat më të avancuara në evolucionin e rrjeteve, inovacionin strategjik dhe menaxhimin e infrastrukturave digjitale, ndërsa diskutimet u fokusuan në përballimin e ndryshimeve teknologjike dhe ruajtjen e ekselencës operacionale.
Rektori Bajraktari shprehu mirënjohje ndaj Deutsche Telekom për mikpritjen dhe tha se Universiteti mbetet i përkushtuar në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe forcimin e lidhjes me industrinë.
Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij bashkëpunimi dha Driton Emini, Zëvendëspresident për Strategji dhe Evoluimin e Rrjeteve, duke luajtur rol kyç në ndërtimin e partneritetit ndërmjet Deutsche Telekom dhe universitetit.
Vizita theksoi rëndësinë e përshtatjes së vazhdueshme të kurrikulave me kërkesat e tregut dhe integrimin e njohurive praktike në mësimdhënie. Kjo përputhet me orientimin strategjik të UShAF drejt arsimit të aplikuar dhe përgatitjes së studentëve për tregun e punës. Poashtu, u riafirmua vullneti për bashkëpunim afatgjatë në fusha si zhvillimi i kurrikulave, kërkimi shkencor dhe ngritja e kapaciteteve.



