Në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor me institucionet e arsimit të lartë në rajon, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka konkretizuar dy marrëveshje të reja bashkëpunimi me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD). Gjatë një vizite zyrtare në ambientet e UAMD, një delegacion nga Fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës i përbërë nga Zëvendësrektorja Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, Dekani Prof. Asoc. Dr. Bashkim Çerkini dhe Prodekani Prof. As. Dr. Gjelosh Vataj, u prit nga drejtues të lartë të këtij Universiteti.
Në kuadër të kësaj vizite u formalizuan dy marrëveshje bashkëpunimi mes Fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikës të UShAF dhe dy njësive akademike të UAMD: Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Fakultetit të Biznesit. Marrëveshjet u nënshkruan nga Prof. Asoc. Dr. Bashkim Çerkini, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikës në UShAF, Prof. As. Dr. Llambi Prendi, Dekan i Fakultetit të Biznesit, dhe Prof. As. Dr. Anjeza Pasku, Dekane e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.
Marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë një gamë të gjerë fushash bashkëpunimi, si hartimi dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta shkencore dhe akademike, bashkëudhëheqja në programe të doktoratës, shkëmbimi i stafit akademik dhe i përvojave profesionale, pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare të financuara nga Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë, si dhe organizimi i konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike. Gjithashtu, parashihet shkëmbimi i programeve mësimore dhe informacionit kërkimor ndërmjet palëve.
Ky Bashkëpunim përfaqëson një hap konkret drejt zgjerimit të ndërveprimit ndërinstitucional dhe ndërtimit të urave të qëndrueshme mes universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve forcon angazhimin e UShAF për të kontribuar në integrimin e plotë në hapësirën e arsimit të lartë evropian, duke nxitur shkëmbimet akademike, zhvillimin profesional dhe përfshirjen në rrjete të përbashkëta kërkimore.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve u zhvillua në ambientet zyrtare të dekanateve, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.