Me rastin e 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, stafi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara (UShAF) mbajti sot takim për të shënuar këtë moment historik.

Në fjalën e tij hyrëse, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Agron Bajraktari foli për peripetitë e popullit shqipëtarë gjatë shekujve, si dhe për rrugëtimin e tyre për lirinë që e gëzojmë sot. Që të nderohen heronjtë që dhanë jetën për Liri, i gjithë stafi mbajti një minutë heshtje.

Rektori Bajraktari, duke shprehur urimet e tij për pavarësinë e Kosovës, me emocion e krenari, përmendi kontributin e çmuar ndër vite të të gjithë burrave dhe grave, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët bënë sakrifica të mëdha për vendin tonë.

“Falë ideatorëve të Pavarësisë së Kosovës, sot si shtet i pavarur festojmë 16-të vjetorin e lirisë sonë. Uroj që në 17-të vjetorin e Pavarësisë, Çlirimtarët të cilët po mbahen në Hagë, të kthehen në ngrohtësinë e vendlindjes dhe të festojnë suksesin që arritën ta realizojnë vetë.

Rektori theksoi edhe rolin e aleatëve dhe miqëve ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe falënderoi për mbështetjen që ata dhanë për Kosovën në rrugën drejt Lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

Ngjarja u shoqërua me momente nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e datës 17 Shkurt 2008, ngjarje kjo e cila emocionoi të gjithë të pranishmit.

Në fund, duke uruar fillimin e semestrit veror, që lidhet me këtë ngjarje shumë të rëndësishme për popullin tonë, e sidomos vetë ngjarjen historike të 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rektori theksoi rëndësinë e zhvillimit të shtetit tonë, që ne dhe gjeneratat që vijnë të vazhdojmë ta çojmë përpara Kosovën tonë të lirë.