Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), ka vendosur që ta akreditojë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) edhe për tri vite, pasi që Universiteti i plotëson të gjitha kriteret për të vazhduar punën për nxjerrjen e kuadrove profesionale për tregun e punës.
Me këtë rast, rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari falënderoi stafin e Universitetit për përkushtimin dhe punën e palodhshme në ngritjen dhe zhvillimin e universitetit të vetëm të shkencave të aplikuara në Kosovë.
Rektori u shpreh i bindur se me këtë vullnet dhe bashkëpunim të stafit akademik dhe administrativ, do të arrihen të gjitha objektivat dhe UShAF do të vazhdojë të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Po ashtu, rektori Bajraktari falënderoi studentët, të cilët i japin frymë pozitive Universitetit dhe ndër të tjera ishin jashtëzakonisht të mirë dhe shumë bashkëpunues në këtë proces.
UShAF ka aplikuar edhe për programe të reja shumë atraktive, të cilat do të pëlqehen nga të rinjtë në Kosovë, me shpresën se do të marrë përgjigje pozitive nga KSHC.