Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj promovoi projektin për “Monitorimin e Pjesëmarrjes së Studentëve në Mësim,” i mbështetur nga <HERAS+, Austrian Development Cooperation & MASHTI>.
Ky projekt synon të ndjekë në mënyrë efikase dhe në kohë reale angazhimin e studentëve në aktivitetet mësimore, duke mbledhur dhe ruajtur të dhëna lidhur me nivelin e pjesëmarrjes dhe angazhimin e përgjithshëm të stafit akademik në procesin e mësimdhënies. Këto informacione do të përdoren për të vlerësuar pjesëmarrjen dhe për të monitoruar performancën e studentëve.
Projekti përfshin pajisjet për kontrollin e qasjes, printuesin e kartelave chip/RFID, televizorë për prezantimin e mbarëvajtjes së mësimit dhe softuerin përcjellës.
Indikatori kryesor i pjesëmarrjes së studentëve është qëllimi kryesor i këtij projekti. Të dhënat e siguruara nga pajisjet do të shfaqen në kohë reale, duke ofruar një përqindje mesatare të pjesëmarrjes së studentëve në çdo ligjëratë. Kjo do të ndihmojë në zhvillimin e një plani veprimi për të përmirësuar pjesëmarrjen dhe performancën e studentëve, duke kultivuar një mjedis më efikas për mësim dhe bashkëveprim mes studentëve dhe mësimdhënësve.
Informacionet e grumbulluara do të ndihmojnë gjithashtu në vlerësimin më të saktë të mësimdhënësve nga ana e studentëve, duke identifikuar ata studentë që nuk marrin pjesë rregullisht në ligjëratë për të mos qenë pjesë e vlerësimit.
Për më shumë, ky projekt do të ndihmojë në hulumtimin e lidhjeve midis performancës akademike, vlerësimit dhe niveleve të pjesëmarrjes së studentëve.
Rektori i UShAF, Prof.Dr.Agron Bajraktari u shpreh i kënaqur me këtë projekt dhe falënderoi HERAS+ për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar Universitetit.