Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u pranua si anëtar me të drejta të plota në Forumin e Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor.

 

Ky anëtarësim përbën një moment të rëndësishëm për të ardhmen e universitetit, pasi që do të ndihmojë në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe do të kontribuojë në progresin e mëtejshëm të UShAF-it në fushën e arsimit të lartë.

Anëtarësimi u realizua gjatë Forumit të 9-të të Rektorëve, i cili u mbajt nga data 11 deri më 13 shtator 2024 në Universitetin “St. Kliment Ohridski” në Bitola, Maqedoninë e Veriut.  UShAF u përfaqësua nga rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari, i shoqëruar nga Prorektorja për Digjitalizim, Informacion dhe Teknologji të Inovacionit Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu dhe profesori Pajtim Rrustemi.

Në forumin e 9-të, Rektorët dhe përfaqësuesit e arsimit të lartë pjesëmarrës në forum, diskutuan mbi Aleancat Evropiane të Universiteteve, sfidat dhe mundësitë që këto aleanca ofrojnë. Diskutimet u përqëndruan gjithashtu në vlerat universitare, integritetin në Universitet dhe promovimin e barazisë gjinore në arsimin e lartë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit diskutuan për aplikimin në projekte të përbashkëta evropiane dhe iniciativat për forcimin e kapaciteteve të universiteteve, përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit, organizimin e konferencave dhe projekteve kërkimore të përbashkëta.

Gjatë Forumit, përfaqësuesit e aleancave universitare europiane COLOURS, EUTOPIA, YUFE dhe EUA diskutuan për zhvillimin e ardhshëm të këtyre aleancave dhe mundësitë e reja për bashkëpunim.

Në këtë forum, u pranua anëtarësimi i tre universiteteve të reja: (1) Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, (2) Aristotle University in Thessaloniki, dhe (3) Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë.Forumi i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor është një rrjet rajonal i rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë, i cili fokusohet në zhvillimin e aleancave universitare evropiane dhe në nisma të përbashkëta për forcimin e lidhjeve mes universiteteve të rajonit.

 

 

This post is also available in: English