UShAF pjesë e projektit ndërkombëtar REGFUR, të mbështetur nga Erasmus+
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) është pjesë e projektit ndërkombëtar REGFUR, i cili synon të promovojë traditat rajonale të prodhimit të mobilieve, trashëgiminë kulturore dhe integrimin e tyre në dizajnin bashkëkohor. Në takimin inaugurues (Kick-off Meeting), të mbajtur më 22 dhe 23 tetor 2026 në Varshavë të Polonisë, UShAF u përfaqësua nga dy mësimdhënës të Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Sejdiu dhe Prof. As. Dr. Bujar Jashari.
Takimi u organizua në Fakultetin e Pylltarisë dhe Shkencave të Drurit të Universitetit të Shkencave të Jetës në Varshavë (SGGW), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nëntë organizatave partnere nga Polonia, Bullgaria, Shqipëria, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia dhe Kosova. Gjatë takimit, partnerët diskutuan objektivat, aktivitetet dhe përgjegjësitë për zbatimin e projektit, duke përcaktuar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit.
Projekti REGFUR synon të avancojë njohuritë dhe aftësitë praktike të studentëve në fushën e teknologjisë së drurit dhe dizajnit të mobilieve, duke ndërthurur mjeshtërinë tradicionale me qasjet bashkëkohore të projektimit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe industrisë, me qëllim zhvillimin e kompetencave profesionale dhe nxitjen e inovacionit në sektorin e mobilieve.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, përshëndeti angazhimin e stafit akademik në këtë projekt, duke vlerësuar rëndësinë e partneriteteve evropiane për zhvillimin e programeve akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët, veçanërisht në fushat që ndërlidhin arsimin me nevojat e industrisë.
Për UShAF-in, përfshirja në REGFUR krijon hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale, si dhe për promovimin e traditës dhe potencialit të Kosovës në përpunimin e drurit dhe dizajnin e mobilieve.
Projekti REGFUR bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+.










