Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në kuadër të projektit ndërkombëtar GITEKA, ka organizuar nga data 10 deri më 13 nëntor 2025 punëtorinë profesionale “Workshop for Staff – How to Introduce the Programme”, me pjesëmarrjen e stafit akademik dhe ekspertëve nga institucionet partnere evropiane.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte ngritja e kapaciteteve të stafit universitar në fushën e metodologjive të mësimdhënies, zhvillimin e moduleve të reja akademike si dhe avancimin e përdorimit të platformave të mësimit elektronik (LMS) në praktikë.

Punëtoria u hap me sesionet prezantuese të përfaqësuesve të UShAF dhe UNIVERSUM College, ndërsa pjesa kryesore e trajnimit është udhëhequr nga Universiteti i Arteve dhe Dizajnit në Cluj-Napoca, Rumani, dhe WSB University, Poloni, të cilët zhvilluan sesione të specializuara mbi “Modern Teaching Methodologies”, “Matching Learning Objectives” dhe “LMS in Practice”.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit kishin mundësinë të marrin pjesë në ligjërata, diskutime, prezantime të projekteve kërkimore, si dhe të vizitojnë ambientet dhe laboratorët e UShAF. Aktiviteti gjithashtu përfshiu takime pune mes partnerëve dhe evente kulturore në qytetin e Ferizajt.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, në fjalën e tij gjatë hapjes së aktivitetit, theksoi rëndësinë e projekteve të tilla ndërkombëtare në zhvillimin profesional të stafit akademik dhe në avancimin e cilësisë së mësimdhënies. Ai vlerësoi kontributin e partnerëve evropianë dhe potencoi se UShAF mbetet i përkushtuar në krijimin e hapësirave të reja për bashkëpunim, inovacion dhe shkëmbim përvojash në të mirë të studentëve dhe të gjithë komunitetit akademik.

Në punëtori morën pjesë përfaqësues nga Universiteti i Nju Jork UNYT Tiranë, WSB University Poloni, UNIVERSUM International College Kosovë, Universiteti Europian Tiranë, Universiteti i Arteve dhe Dizajnit Cluj-Napoca Rumani dhe Dhoma e Tregtisë Durrës, të cilët kontribuuan me ekspertizë profesionale dhe përvojë ndërkombëtare në realizimin e sesioneve të kësaj punëtorie.