Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi një punëtori njëditore të dedikuar për përditësimin e Planit për Barazi Gjinore 2023–2026.
Në punëtori morën pjesë stafi akademik dhe administrativ i universitetit, si dhe ekspertë të fushës së barazisë gjinore.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili falënderoi SHER për mbështetjen në realizimin e kësaj punëtorie. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit austriak, duke theksuar rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit me institucionet austriake në zhvillimin e universitetit dhe në realizimin e aktiviteteve të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve akademike dhe menaxheriale. Më tej, ai theksoi përkushtimin e UShAF-it për ndërtimin e një ambienti gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, një vlerë e përcaktuar qartë edhe në Statutin e Universitetit.
Meqenëse punëtoria u zhvillua në Ditën e Çlirimit të Kosovës, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje në nderim të atyre që dhanë jetën për liri.
Pjesëmarrësit u përshëndetën gjithashtu nga znj. Louise Sperl, drejtuesja e programit nga WUS Austria.
Punëtoria u udhëhoq nga znj. Ardiana Gashi, eksperte për barazi gjinore nga SHER, e cila prezantoi një analizë të situatës ekzistuese në UShAF sa i përket barazisë gjinore, dhe pastaj lehtësoi punën në grupe. Pjesëmarrësit u ndanë në pesë grupe, ku secili analizoi një nga fushat kryesore të Planit përmes metodës SWOT dhe propozoi objektiva, aktivitete dhe buxhete për zbatimin efektiv të masave për barazi gjinore.
Kjo punëtori u realizua me mbështetjen e projektit SHER(Sustainable Higher Education and Research), i cili financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancohet nga MESTI dhe zbatohet nga WUS Austria, ZSI dhe OeAD.