Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi me sukses edicionin e radhës të ekspozitës vjetore “Profesionistët e së Ardhmes”, një ngjarje tashmë tradicionale që përmbledh punën shumëdimensionale të studentëve nga të gjitha fakultetet e institucionit.
Ngjarja u hap me një performancë kulturore nga studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, që përfshinte “Vallen e Rugovës”, si dhe një vallëzim kushtuar Gjon Serreçit, emrin e të cilit mbanë Universiteti ynë.
Në hapje të ekspozitës, Rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari theksoi se ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes” është shumë më tepër se një paraqitje e punimeve të studentëve, ajo pasqyron filozofinë e universitetit për arsim praktik, të orientuar drejt zhvillimit profesional dhe integrimit në tregun e punës. Rektori vlerësoi faktin se përmes qindra marrëveshjeve me biznese dhe institucione vendore e ndërkombëtare, UShAF ka krijuar ura të fuqishme bashkëpunimi, që u mundësojnë studentëve të përjetojnë përvojën e botës reale. “Ju jeni shpirti dhe forca e këtij universiteti,” u shpreh ai, duke ritheksuar përkushtimin e tij personal për t’u qëndruar studentëve pranë në çdo hap të rrugëtimit drejt suksesit.
Kryetarja e Parlamentit Studentor, Blerona Duga, shprehu falënderim për mbështetjen institucionale dhe përkushtimin e stafit akademik. Ajo theksoi se kjo ekspozitë është reflektim i punës, përpjekjes dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet studentëve dhe profesorëve, dhe një dëshmi e qartë e vizionit të përbashkët për arsim cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.
Në fund, duke i dhuruar Rektorit Bajraktari një shenjë simbolike, studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, shprehën mirënjohjen për mbështetjen dhe udhëheqjen frymëzuese. Ata theksuan se sot nuk flasin vetëm si studentë, por si të rinj që kanë zgjedhur ta ndërtojnë të ardhmen në këtë shtëpi të dijes, që falë vizionit të Rektorit është bërë vend i mundësive dhe përparimit. “Ju nuk jeni vetëm një drejtues institucioni, ju jeni frymëzimi ynë,” u tha ndër të tjera në fjalën e tyre.
Ekspozita përfshinte punime të realizuara nga studentët e të gjitha fakulteteve të UShAF, duke reflektuar fushat që ata studiojnë, pra nga mikpritja dhe trashëgimia kulturore, tek dizajni i ambienteve dhe produkteve nga druri, metali dhe plastika, nga zhvillimi i softuerëve e zgjidhjeve teknologjike, tek projektet e ekonomisë cirkulare, si dhe atë të krijimtarisë vizuale me dizajne grafike, fotografi, piktura dhe ekspozitë digjitale.
Pjesëmarrësit nga institucione publike, biznese dhe partnerë të UShAF patën rastin të njihen më nga afër me krijimtarinë e studentëve nëpërmjet vizitës në ekspozitë, po edhe të shijojnë ushqimin e përgatitur nga studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit.