Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me përfaqësuesin e projektit për Ekonomi Digjitale të Kosovës (KODE), i zbatuar nga Ministria e Ekonomisë.
Ky Memorandum rregullon politikat e përdorimit të Internetit të ofruara nga Kosovo Research and Education Network (KREN) brenda kampusit të Universitetit, politikat e komunikimit dhe politikat e përdorimit të PaaS dhe SaaS të ofruara nga KREN (komponentja e dytë e KODE), duke përcaktuar kështu rolet dhe obligimet që kanë palët.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, priti përfaqësuesit e KREN dhe GIZ, të cilët fillimisht i falënderoi për mbështetjen që i kan dhënë universitetit në procesin e digjitalizimit dhe shprehu vlerësimin se sa i rëndësishëm ishte bashkëpunimi mes KREN dhe UShAF.
Ky Memorandum është një hap i rëndësishëm në drejtimin e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet UShAF dhe KREN, për të krijuar mundësi shtesë për studentët dhe stafin në përdorimin e shërbimeve të reja të këtij Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim në Kosovë.