Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi, me qëllim forcimin e lidhjeve akademike në mes të të dyja institucioneve që përfaqësojnë, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.

Marrëveshja synon të realizojë programe të përbashkëta studimi, duke përfshirë diploma të përbashkëta ose të dyfishta, shkëmbim të stafit akademik, administrativ dhe të studentëve.

Gjithashtu, sipas kësaj Marrëveshje, do të realizohen projekte kërkimore dhe publikimeve shkencore të përbashkëta, organizime e aktiviteteve akademike, si: konferenca, seminare dhe shkolla verore, si dhe do të ketë shkëmbime përvojash profesionale dhe ndërkombëtare.

Sipas rektorëve, ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit rajonal dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet UShAF dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu”, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillim profesional për stafin akademik dhe studentët.