Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me restorantin “Hija e Maleve” në fshatin turistik Jezerc, një prej zonave më piktoreske dhe me potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor në Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe menaxheri i restorantit “Hija e Maleve”, z. Leotrim Ajvazi, me qëllim të forcimit të lidhjes ndërmjet arsimit akademik dhe industrisë së turizmit dhe hotelierisë.
Në bazë të Marrëveshjes, studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit do të kenë mundësi të zhvillojnë praktikat profesionale në ambientet e restorantit, duke e lidhur përvojën teorike me njohuritë praktike të fushës.
Rektori Bajraktari, u shpreh i kënaqur me këtë bashkëpunim, duke theksuar se kjo marrëveshje është një hap tjetër drejt integrimit të studentëve në tregun e punës dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në Kosovë, sidomos në zonat me vlera të veçanta natyrore si Jezerci.
Ndërsa menaxheri Ajvazi, falënderoi Universitetin për besimin dhe përgatitjen profesionale të studentëve, duke shtuar se bashkëpunimi me UShAF është një mundësi për të përfshirë të rinjtë në sektorin e mikpritjes dhe për të promovuar potencialet e mëdha turistike të fshatit Jezerc dhe të rajonit të Ferizajt.
“Hija e Maleve” ndodhet në fshatin Jezerc, një nga destinacionet më të bukura natyrore të Kosovës, i njohur për ajrin e pastër, peizazhet mahnitëse malore dhe mikpritjen tradicionale, që e bëjnë këtë vend një pikë tërheqëse për vizitorët vendorë dhe të huaj.


