Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) janë nënshkruar dymbëdhjetë Marrëveshje Bashkëpunimi me biznese, të cilat përmbajnë edhe komponentin e hulumtimit shkencor që mund të realizojnë stafi dhe studentët bashkërisht me biznese.
Bizneset me të cilat UShAF ka nënshkruar Marrëveshje janë: “Eon TDI”, “ANB Baliu”, “ARDO Furniture”, “PROMobi”, “Ahikos”, “InterEX”, “Tefik Canga”, “DAQA”, “EuroSteel”, “DOQI”, “Promarketing” dhe “Alb Production”.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari falënderoi përfaqësuesit e bizneseve për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe gatishmërinë e tyre për të thelluar bashkëpunimin edhe në fushën e hulumtimit shkencor. Mes tjerash, Rektori potencoi rolin dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi i universitetit me biznesin, ku studentët mund të kryejnë hulumtime dhe praktika me qëllim të përfitimit te shkathtësive që janë të nevojshme për tregun e punës. Gjithashtu, Rektori në emër të Universitetit falënderoi Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe përfaqësuesit e Kosovo Unitet States Alumni (KUSA) për mbështetje në ngritjen kapaciteteve kërkimore shkencore për stafin dhe studentët e UShAF.
Përkrahje këtij eventi i ka dhënë edhe menaxheri i projektit KUSA, Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti.
Ndërsa, përfaqësuesit e të gjitha bizneseve pjesëmarrëse dhanë kontribut me komente pozitive, duke treguar gatishmëri për bashkëpunim me stafin për hulumtime, si dhe u zotuan se do t’u ofrojnë përkrahje studentëve në kryerjen e punëve praktike, e po ashtu edhe në fushën e realizmit të hulumtimeve shkencore.
“Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.”