Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 11 vjetorit të themelimit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Senati i universitetit ndau mirënjohje për Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, për kryetarin e saj Afrim Mehmeti, nënkryetarin Luan Jahiri, si dhe për veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën për liri, pavarësi dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

historia e Kosovës nuk mund të shkruhet pa sakrificën dhe heroizmin e grave dhe burrave që iu përgjigjën thirrjes së atdheut në momentet më të vështira.

Rektori Bajraktari u shpreh se UShAF do të mbetet gjithmonë një institucion që respekton dhe nderon luftën çlirimtare, duke kultivuar te studentët dhe brezat e rinj vlerat e lirisë, sakrificës dhe atdhedashurisë.

“Falë luftës dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot kemi mundësinë të ndërtojmë institucione të lira, të arsimojmë brezat e rinj dhe të zhvillojmë vendin tonë. Ky është një borxh moral që nuk harrohet kurrë”, tha Rektori Bajraktari.

Duke kujtuar se ceremonia u mbajt në Ditën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ai shtoi se shpreson që 12 vjetori i themelimit të UShAF do të festohet së bashku me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, kryetari Afrim Mehmeti falënderoi Rektorin Bajraktari dhe Universitetin për vlerësimin e treguar, duke theksuar se nderimi i veteranëve dhe i luftës çlirimtare është një mesazh i rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike dhe edukimin e brezave të rinj.

Mirënjohje për këtë vlerësim shprehën edhe veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat falënderuan Rektorin dhe UShAF-in për respektin e vazhdueshëm që universiteti tregon ndaj luftëtarëve të lirisë dhe për kujdesin që i kushton ruajtjes së vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.