Me rastin e shënimit të 11 vjetorit të themelimit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u organizua një ceremoni solemne, gjatë së cilës Senati i UShAF ndau mirënjohje për anëtarët e stafit akademik dhe administrativ, në shenjë vlerësimi për kontributin, profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin dhe avancimin e universitetit.

Mirënjohjet u ndanë nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili falënderoi stafin për punën dhe përkushtimin e treguar ndër vite, duke theksuar se sukseset që ka arritur universiteti janë rezultat i punës së përbashkët të stafit akademik dhe administrativ.

Në fjalën e tij, Rektori Bajraktari u shpreh se UShAF sot është universiteti më cilësor në vend dhe institucioni i vetëm i arsimit të lartë që është i lidhur drejtpërdrejt me tregun e punës, duke ofruar programe studimi që u përgjigjen nevojave reale të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

“Ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur shumë. Askush dhe asgjë nuk mund të na ndalë që të ecim përpara dhe ta zhvillojmë edhe më shumë këtë institucion. Rezultatet që kemi arritur janë dëshmi e përkushtimit dhe punës sonë të vazhdueshme, ndërsa synimi ynë mbetet që UShAF ta bëjmë edhe më të suksesshëm në vitet që vijnë”, theksoi Rektori Bajraktari.

Gjatë ceremonisë, Rektori kujtoi gjithashtu se kjo ditë përkon me Ditën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tyre në lirinë e vendit. Ai shprehu bindjen se përvjetori i 12 i themelimit të UShAF do të festohet së bashku me çlirimtarët që, sipas tij, po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Mirënjohjet e ndara nga Senati i UShAF për stafin akademik dhe administrativ janë shprehje e vlerësimit institucional për kontributin e secilit në fuqizimin e veprimtarisë akademike dhe shkencore, zhvillimin institucional, ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe përmbushjen e misionit të Universitetit.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne dhe festive, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e UShAF, institucion që për 11 vite me radhë ka dëshmuar përkushtim ndaj cilësisë, inovacionit dhe përgatitjes së kuadrove profesionale për tregun e punës.