Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka mirëpritur në një vizitë zyrtare dekanen e Fakultetit të Turizmit, Eva Brucker dhe profesoreshën, Susanne Steppat nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg, Austri, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të programeve të përbashkëta studimore.
Gjatë qëndrimit në UShAF, profesoreshat morën pjesë në takime me menaxhmentin e universitetit, vizituan kampusin dhe njësitë akademike, si dhe zhvilluan workshope mbi bashkëpunimin universitet–industri, zhvillimin e kurrikulave moderne dhe qasje të reja në mësimdhënie. Poashtu, u prezantuan përvojat e suksesshme nga programi “Innovation and Management in Tourism” i Universitetit të Salzburgut.
Një moment i rëndësishëm i kësaj vizite ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me restorantin “Hija e Maleve”, një prej destinacioneve të njohura turistike të Kosovës, që do të shërbejë si partner praktik për studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, të UShAF.
Gjatë vizitës, profesoreshat austriake patën mundësi të njihen më afër me potencialin turistik të Kosovës, përmes takimeve në qytetet e Prishtinës dhe Prizrenit, ku u diskutua për mundësitë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta në fushën e turizmit dhe qëndrueshmërisë.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderoi profesoreshat Brucker dhe Steppat për bashkëpunimin e frytshëm dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se kjo vizitë forcon partneritetin ndërkombëtar dhe krijon mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik.
Në fund të vizitës, profesoreshat Brucker dhe Steppat shprehën mirënjohjen e tyre për mikpritjen dhe bashkëpunimin e ngrohtë, duke vlerësuar profesionalizmin dhe vizionin e UShAF-it në avancimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.