Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) finalizoi dokumentin “Plani për Barazi Gjinore 2025–2028”, i mbështetur nga projekti “Sustainable Higher Education and Research in Kosovo (SHER)”.
Dokumenti është hartuar mbi bazën e të dhënave të ofruara nga Universiteti, si dhe kontributit të përfaqësuesve të UShAF gjatë punëtorive të dedikuara për këtë proces.
Punëtoria u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili falënderoi përfaqësuesit nga SHER për mbështetjen në rishikimin e dokumentit paraprak, zhvillimin e versionit të ri të planit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në projekte të tjera. Para te pranishmeve, ai theksoi se: UShAF është i përkushtuar që barazia gjinore të jetë e integruar në çdo aspekt, duke garantuar mundësi të barabarta, përfaqësim të drejtë dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt e gjithëpërfshirës që mbështet zhvillimin personal, profesional dhe akademik të studentëve dhe stafit.
Koordinatori i projektit SHER, z. Nehat Dervishi, theksoi se prezantimi i planit është realizuar pikërisht në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës në Baza Gjinore, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me UShAF dhe përkushtimin për vazhdimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Ekspertja e angazhuar nga SHER, Prof. Ardiana Gashi, prezantoi para pjesëmarrësve përmbajtjen e “Planit për Barazi Gjinore”, duke hapur diskutimin për komente dhe sugjerime nga të pranishmit.
Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën “Art of Digital Dignity”, të organizuar nga UShAF dhe Universiteti i Prishtinës, me mbështetjen e UNFPA, ku u shfaqën vepra artistike të studentëve që trajtojnë tema të dinjitetit, barazisë dhe fuqizimit përmes artit.






