Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur dyert sot për të pritur në një ceremoni solemne studentët në vitin e ri akademik 2022/23, e në veçanti ata të cilët për herë të parë fillojnë studimet në Universitet.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari iu dëshiroi mirëseardhje në Universitet studentëve, e në veçanti atyre që për herë të parë fituan statusin e studentit.
“Sot, ndjehemi shumë të lumtur që po fillon viti akademik në ambientet e Universitetit tonë. Ju jemi shumë mirënjohës, juve studentë të dashur, po edhe familjeve tuaja që në mesin e gjithë atyre institucioneve të arsimit të lartë, keni zgjedhur institucionin tonë dhe na keni besuar t’u ndihmojmë në ngritjen tuaj profesionale. Me bindje të plotë, ju them se nuk do të zgjënjeheni me vendimin tuaj, gjë që do ta vërtetoni gjatë studimeve. Dyert e gjithë stafit, e në veçanti e imja do të jetë e hapur gjithmonë për bashkëpunim me secilin nga ju me qëllim që përmes bashkëpunimit të realizojmë synimet tona drejtë suksesit tuaj në të ardhmën”, tha Rektori.
Rektori i njoftoi studentët edhe për për hapësirat moderne të cilat i ofron Universiteti, laboratoret ku do të realizohet edhe praktika profesionale, e cila do t’u ndihmoj atyre që të aftësohen për tregun e punës. Gjithashtu, theksoi se Universiteti deri më tani ka me qindra Marrëveshje Bashkëpunimi me biznese dhe institucione vendore e ndërkombëtare, gjë që ka ndihmuar shumë në realizimin e programeve studimore të cilat lidhen me kërkesat e tregut të punës. Kjo dëshmohet edhe nga suksesi i studentëve të cilët deri më tani kanë bërë punë të jashtëzakonshme përmes njohurive të marra nga Universiteti, ku shumica prej tyre punojnë nëpër institucione e kompani vendore dhe ndërkombëtare.
Ndërsa, studentja Leona Jahiri tha se për ne është nderë që çdo vit e më shumë familja jonë po zgjerohet dhe interesimi për tu bërë pjesë e jona është shumë i madh. Ky interesim dhe entuziazëm, sipas saj po vie falë angazhimit dhe përkushtimit që po tregon menaxhmenti i Universitetit, profesorët dhe bizneset partnere të Universitetit.