Me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Ferizajt (UShAF) organizoi një takim solemn për të nderuar këtë ditë historike.

Në fjalën e tij, Rektori i UShAF-it, Prof. Dr. Agron Bajraktari, foli për rrugëtimin e vështirë të popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai theksoi sakrificat e shumta dhe qëndresën e madhe të brezave që kontribuan në arritjen e këtij ideali. Në shenjë respekti për të rënit, stafi i Universitetit mbajti një minutë heshtje.

Duke shprehur urimet e tij për pavarësinë, Rektori Bajraktari theksoi rolin kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila me guxim dhe sakrificë i dha popullit tonë mundësinë të jetojë i lirë. Ai uroi që në përvjetorin e ardhshëm, ata që sot ndodhen në Hagë të kthehen në vendlindjen e tyre dhe të festojnë së bashku me popullin ëndrrën që kontribuan të realizohet.

Një falënderim i veçantë iu shpreh edhe aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e tyre të palëkundur për Kosovën në rrugën e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtit.

Gjatë aktivitetit, u shfaqën momente nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, duke sjellë emocione të veçanta për të pranishmit.

Rektori, gjithashtu uroi fillimin e semestrit veror, që përkon me këtë përvjetor të rëndësishëm, dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm për zhvillimin e shtetit tonë, duke i inkurajuar të rinjtë të jenë pjesë e së ardhmes së ndritur të Kosovës.

Në fund u përurua këndi i Galerisë, i punuar nga studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara, të cilët veç punimeve të realizuara në Galeri, i dhuruan Rektorit Bajraktari një pikturë me figurën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.