Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, me ftesë të Universitetit të Granadës (UGR) në Spanjë, realizoi një vizitë pune në këtë institucion, me qëllim të themelimit dhe avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy universiteteve.

Gjatë kësaj vizite, në hapësirat qendrore të Universitetit të Granadës, përkatësisht në zyrën e Rektorit, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit (MoU) ndërmjet dy institucioneve.

Memorandumi u nënshkrua nga Rektori Bajraktari dhe Rektori i Universitetit të Granadës, Prof. Pedro Mercado Pacheco. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë gjithashtu Prorektorja për Ndërkombëtarizim në UGR, Prof. Inmaculada Marrero Rocha, si dhe Prof. Angel Miguel Felices Lago nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Biznesit në UGR.

Me këtë rast, Rektorët e të dyja institucioneve, Rektori Bajraktari dhe Rektori i Universitetit të Granadës, e cilësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke theksuar mundësitë që ajo ofron për zhvillimin e përbashkët akademik, shkencor dhe mobilitetin e stafit dhe studentëve.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, përfshirë zhvillimin e projekteve të përbashkëta përmes programeve ndërkombëtare si Erasmus+, Horizon Europe dhe skema të tjera relevante.

Memorandumi parashikon bashkëpunim në fushat akademike, shkencore dhe kulturore, përmes shkëmbimit të stafit dhe studentëve, zhvillimit të projekteve të përbashkëta, mbështetjes së mobilitetit, publikimeve shkencore të përbashkëta dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike.