Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Saxion University of Applied Sciences, në Holandë, gjatë periudhës 18–22 maj 2026, në ambientet e UShAF kanë zhvilluar një takim pune ndërmjet grupeve punuese nga Fakulteti i Menaxhmentit të UShAF dhe Biznesi Ndërkombëtar i Saxion.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i modaliteteve për realizimin në praktikë të Modulit të përbashkët “Ndërmarrësia Ndërkombëtare” (ne gjuhen angleze), tek programet e nivelit bachelor Menaxhimi i Biznesit dhe Ndërmarrësia në UShAF dhe Biznesi Ndërkombëtar në Saxion. Takimin e udhëhoqi Dekani Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti, ndërsa pjesëmarrës të tjerë nga UShAF ishin: Arben Tërstena, Bashkim Mustafa, Sokol Krasniqi dhe Gazmend Deda, si dhe nga Saxion University: Koray Arslan, Vincent ter Horst dhe Guido Perik.

Rezultat konkret i këtij bashkëpunimi është vendimi që moduli i përbashkët “Ndërmarrësia Ndërkombëtare” të fillojë implementimin në Semestrin Dimëror 2026/2027, për studentët e të dy institucioneve partnere. Gjatë takimit janë trajtuar dhe harmonizuar një sërë çështjesh akademike dhe organizative që ndërlidhen me implementimin e modulit, përfshirë: kohën e realizimit, numrin e studentëve pjesëmarrës, planin mësimor, identifikimin e numrit të ECTS-ve, angazhimin e stafit akademik, literaturën bazë, organizimin e orarit të ligjëratave, si dhe realizimin e vizitave të ndërsjella të studentëve dhe stafit akademik ndërmjet dy institucioneve. Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe planifikimet për realizimin e hulumtimeve të përbashkëta shkencore dhe profesionale përmes vizitave studimore në kompani dhe organizata në Kosovë dhe në Holandë, me fokus të veçantë në ndërmarrësinë, inovacionin dhe zhvillimin e biznesit ndërkombëtar

Përkrahje të madhe këtij projekti i ka dhënë edhe Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, duke vlerësuar rëndësinë e projekteve ndërkombëtare në avancimin e cilësisë akademike dhe zhvillimin e programeve moderne të studimit.

Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon zhvillimin e moduleve dhe programeve inovative, të cilat integrojnë praktikat më të mira ndërkombëtare në procesin e mësimdhënies dhe nxënies, duke kontribuar në pasurimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave të studentëve. Përmes këtyre iniciativave, studentët do të përgatiten më mirë për sfidat e tregut modern të punës dhe për kërkesat e ekonomisë bashkëkohore globale.