Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, nënshkruan memorandum të bashkëpunimit për të zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin në fushën e avancimit të zhvillimit rajonal.

Rektori Bajraktari u prit në zyrën e ministrit të Ministrisë të Zhvillimit Rajonal(MZHR) për të nënshkruar këtë memorandum, i cili synon të krijojë, zhvillojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis dy institucioneve në të gjitha nivelet e operimit. Për këtë qëllim, janë përcaktuar fushat e bashkëpunimit që përfshijnë hartimin e politikave, realizimin e hulumtimeve të përbashkëta, ndërmjetësimin dhe ndihmën në planifikimin rajonal, si dhe pjesëmarrjen në mekanizmat qeverisës dhe rrjetet akademike.

Për zbatimin e këtij Memorandumit, do të organizohen trajnime, seminare, vizita studimore dhe shkëmbim informacioni midis UShAF dhe MZHR. Do të ofrohet mbështetje reciproke me ekspertizë në lidhje me fushat e bashkëpunimit, ndërsa UShAF-i do të mbështetet në organizimin e konferencave shkencore në lidhje me fushat e bashkëpunimit dhe në realizimin e punës praktike nga ana e studentëve.

Ministri Damka falënderoi Rektorin Bajraktari për bashkëpunimin dhe mbështetjen që UShAF i ka ofruar kësaj ministrie.