Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Komunës së Ferizajt vazhdon të zhvillohet përmes aktiviteteve të përbashkëta, në kuadër të të cilave u realizua një vizitë pune në Komunën e Ferizajt, e fokusuar në menaxhimin e projekteve arkitektonike, ku u përfshinë në mënyrë aktive edhe studentët e universitetit.

Kontribut në këtë takim dha arkitekti shqiptar, z. Bujar Demolli, i cili, në cilësinë e ligjëruesit të ftuar (guest lecturer) në UShAF, ndau përvojën e tij profesionale nga Zvicra. Ai prezantoi qasje bashkëkohore dhe praktika konkrete në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban, duke nxitur diskutime të vlefshme mbi zhvillimet moderne të qyteteve.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, përshëndeti këtë aktivitet dhe shprehu mirënjohje për drejtorët z. Arber Bytyqi dhe z. Meriton Hajdini për pritjen dhe gatishmërinë e tyre për të ndarë përvojat profesionale në kuadër të përgjegjësive që mbulojnë në institucion.

Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e përfshirjes së gjeneratave të reja të arkitektëve në projekte reale, si dhe nevoja për qasje të mirëfillta në planifikimin urbanistik, me synim transformimin e Ferizajt në një qytet modern sipas konceptit “Smart City”.

Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, z. Bujar Jashari, theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi i studentëve në projekte konkrete përbëjnë një element kyç për përgatitjen profesionale dhe për zhvillimin e qëndrueshëm urban.

Në takim morën pjesë edhe Prorektori z. Kushtrim Cukaj, si dhe studentët e Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, të cilët kontribuuan në mënyrë aktive në diskutim.

Takimi u karakterizua nga një atmosferë interaktive, me shkëmbim të ideve, pyetjeve dhe përvojave lidhur me planifikimin urbanistik, menaxhimin e projekteve, si dhe aspektet e sigurisë dhe mbrojtjes në punë.