Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi takimin zyrtar për fillimin e zhvillimit të programit të përbashkët Master, në kuadër të Fazës I të SHER – Joint/Double Degree Programme, në bashkëpunim me partnerin austriak FH Salzburg GmbH – Salzburg University of Applied Sciences (Austria).
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili falënderoi partnerët austriakë për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë që ky universitet ka me UShAF që nga viti 2007, si dhe falënderoi SHER për përzgjedhjen e UShAF si institucion fitues në Fazën I të këtij projekti.
Më pas, të pranishmit u përshëndetën edhe nga Mag. Almir Adi Kovacevic (Drejtor Ekzekutiv i WUS Austria) dhe Dipl.-Ing. (FH) Lutz Dorsch, Senior Lecturer nga FH Salzburg.
Pas fjalëve hyrëse, takimi vazhdoi sipas agjendës me prezantimin e pikave kryesore të programit dhe një diskutim të hapur, ku u ndanë ide dhe hapa konkretë për zhvillimin e suksesshëm të programit të përbashkët.
Në takim u prezantua vizioni i përbashkët për ndërtimin e një programi ndërkombëtar që për studentët do të ofrojë diploma të dyfishta nga të dy universitetet UShAF dhe FH Salzburg.
Programi master me emër “Sustainable Architecture and Civil Engineering for a Circular Future” synon të sjellë në Kosovë një qasje të re në arsimin e lartë, duke kombinuar qëndrueshmërinë, teknologjinë digjitale dhe përfshirjen sociale.
Ky bashkëpunim me universitetin prestigjioz nga Austria përfaqëson një hap të madh përpara për UShAF drejt ndërkombëtarizimit dhe ofrimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në përvoja ndërkombëtare.
Pjesëmarrës në takim nga UShAF ishin: Prof. Dr. Agron Bajraktari, Prof. Assoc. Dr. Fakije Zejnullahu, Ligj. MSc. Kushtrim Cukaj, Prof. Ass. Dr. Flamur Salihu, Ligj.PhDc. Bujar Jashari, Fatime Musliu Shala, Xhemajl Uksmajli dhe Ligj.PhDc. Lulzim Idrizi. Ndërsa, nga FH Salzburg: Dipl.-Ing. (FH) Lutz Dorsch, DI (FH) DI Hermann Huber, dhe Mag. Jennifer Simon, si dhe partnerët e SHER–JDD: Mag. Almir Adi Kovacevic (WUS Austria) dhe Nehat Dervishi (Koordinator SHER).