Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi ekspozitën “Profesionistët e së Ardhmes 2026”, duke sjellë për të pranishmit një prezantim të gjerë të projekteve, ideve kreative dhe punimeve praktike të studentëve nga të gjitha fakultetet e universitetit. Aktiviteti mblodhi përfaqësues institucionalë, partnerë të industrisë, profesorë, studentë dhe mysafirë ndërkombëtarë.
Në kuadër të ekspozitës u prezantuan projekte dhe punime studentore nga fusha të ndryshme profesionale, përfshirë arkitekturën, dizajnin, teknologjinë, programimin, inxhinierinë, menaxhmentin, turizmin, trashëgiminë kulturore dhe artin vizual. Punimet e ekspozuara reflektuan orientimin praktik të studimeve në UShAF dhe aftësitë profesionale që studentët zhvillojnë gjatë studimeve të tyre.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe stafit akademik, duke theksuar se kjo ekspozitë dëshmon qartë potencialin dhe profesionalizmin që po zhvillohet brenda universitetit. Ai theksoi se UShAF vazhdon të mbetet një institucion i fokusuar në arsimin e aplikuar, inovacionin dhe bashkëpunimin e ngushtë me bizneset dhe partnerët ndërkombëtarë.
Rektori Bajraktari uroi mirëseardhje të veçantë për mysafirët ndërkombëtarë, duke përshëndetur profesorët dhe përfaqësuesit nga University of Applied Sciences Salzburg, partnerët nga Saxion University në Holandë dhe ata nga Polonia, të cilët morën pjesë në këtë aktivitet akademik dhe kulturor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe zhvillimin e mëtejmë të universitetit.
Gjithashtu, Rektori foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe sakrificës për liri, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për dëshmorët dhe heronjtë e vendit. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset në Hagë, duke nënvizuar se historia e popullit të Kosovës është histori sakrifice për liri, dinjitet dhe të drejtë.
Të pranishmit i përshëndeti edhe nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, i cili vlerësoi organizimin e ekspozitës dhe përgëzoi studentët për punën dhe kreativitetin e treguar në projektet e prezantuara. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për stafin akademik dhe udhëheqjen e universitetit, në veçanti për Rektorin Prof. Dr. Agron Bajraktari, për angazhimin në krijimin e mundësive profesionale për të rinjtë. Në fjalën e tij, ai inkurajoi studentët që të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të besojnë në potencialin e tyre për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Gjatë aktivitetit, studentët prezantuan ide dhe zgjidhje inovative që ndërlidhnin kreativitetin me funksionalitetin, duke dëshmuar aftësi profesionale dhe vizion bashkëkohor në fushat përkatëse të studimit. Pjesëmarrësit patën rastin të bashkëbisedojnë me studentët rreth projekteve të tyre dhe të njihen më nga afër me rezultatet e punës së realizuar gjatë vitit akademik.
Në fund, studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit përgatitën koktej dhe produkte gastronomike për mysafirët, duke kontribuar në atmosferën mikpritëse dhe festive të ekspozitës.
Ekspozita “Profesionistët e së Ardhmes 2026” edhe këtë vit dëshmoi rolin e UShAF si një institucion që promovon kreativitetin, dijen praktike dhe zhvillimin profesional të studentëve, duke i përgatitur ata për sfidat e tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës.
























