Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, bazuar në Rregulloren për hulumtime shkencore, subvencionim të punës dhe projekteve hulumtuese, kërkimore-shkencore dhe të aplikuara, dt. 18.10.2024, nr. 3293/24, Rregullores për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve, dt. 31.10.2024, nr. 3427/24 si dhe vendimit te Senatit te datës 28.03.2025, nr. 942/25:
shpallë:
THIRRJE PUBLIKE
për projekte hulumtuese
Me të cilën ftohen stafi i interesuar i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) të konkurrojnë për subvencionimin e projekteve hulumtuese të njësive akademike të UShAF, sipas rregullores në fuqi. Subvencioni është deri në 10,000.00 euro për projekt për njësi akademike (fakultet), me kohëzgjatje maksimale të realizueshmërisë (përfundim të projektit) deri më 19 dhjetor 2025.
Projekt propozimi duhet t’i përkasë fushave të studimit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, të cilat përfshijnë:
- Menaxhment;
- Inxhinieri dhe Informatikë
- Arkitekturë, Dizajn dhe Teknologji së Drurit
- Turizëm dhe Ambientit
- Arte të Aplikuara
Kushtet e veçanta të aplikimit:
- Të drejtë aplikimi kanë të gjithë personeli akademik i rregullt në UShAF,
- Projekti dhe bartësi (koordinatori) i projektit duhet të jenë të fushës së njësisë akademike dhe me interes për institucionin,
- Bartësi dhe anëtarët e përfshirë në projekt duhet të jenë me punësim të rregullt ose studentë nga UShAF; përjashtim bëjnë ekspertët e jashtëm,
- Inkuadrimi i së paku dy studentëve të UShAF (bachelor dhe master),
- Aplikacioni(formulari i aplikimit) duhet të jetë i plotësuar dhe i nënshkruar nga bartësi i projektit,
- Shkresë e veçantë e nënshkruar nga përgjegjësi i njësisë akademike, që vërteton se projekti nuk është realizuar asnjëherë më parë në UShAF,
- Deklarata e bartësit (koordinatorit) të projektit, e nënshkruar,
- Deklaratë e nënshkruar nga secili pjesëmarrës/anëtar veç e veç në projekt,
- Forma e buxhetit(€),
- Biografi e shkurtër e secilit anëtar të angazhuar në projekt, duke përfshirë rolin dhe përgjegjësitë e tyre,
- Projektet për të cilat është pranuar mbështetje financiare nga institucione të tjera në vend ose jashtë vendit nuk do të mbështeten nga universiteti.
Aplikim i suksesshëm është çdo aplikim që i plotëson kushtet e parapara me thirrje.
Dorëzimi i dokumenteve:
Dorëzimi i dokumenteve bëhet në Zyrën për Mbështetje të Kërkimeve Shkencore në UShAF.
Afati për konkurrim për këtë thirrje është nga data 07.04.2025 deri më datën 02.05.2025 në orën 16:00.
Sqarime shtesë:
Aplikacioni i pakompletuar ose jashtë afatit kohor nuk do të shqyrtohet.
- Aplikacionet që nuk përmbajnë të gjitha dokumentet e kërkuara do të refuzohen automatikisht.
- Aplikimet që kalojnë vlerësimin teknik/administrativ do të vlerësohen nga Komisioni për Projekte Hulumtuese, Kërkimore-Shkencore dhe të Aplikuara.
- Udhëheqësi i projektit mund të jetë bartës i vetëm një projekti dhe nuk mund të jetë anëtar i ndonjë projekti tjetër, te të njëjtës thirrje.
- Anëtarët e projektit nuk mund të jenë anëtarë të ndonjë projekti tjetër, te të njëjtës thirrje.
Financimi:
Kategoritë e shpenzimeve që mund të financohen për projekte hulumtuese:
- Paisje të posaçme
- Paisje laboratorike;
- Mjete shpenzuese
- Softuerë;
- Libra.
- Vizita afatshkurta;
- Konferenca ku prezentohen rezultatet e projektit përfitues;
- Shpenzime udhëtimi dhe akomodimi;
- Shpenzime të punës në terren;
- Shpenzime për këshilltarët e jashtëm;
- Pagesa për mëditje të stafit akademik të rregullt të UShAF, pjesëmarrës në projekt në lartësinë 20% të vlerës totale të grantit të projektit;
- Pagesa për studentë të angazhuar.
Lartësia e kompensimit të mëditjes për stafin akademik të rregullt, pjesëmarrës në projekte është si në vijim:
- Menaxheri i projektit, mëditja është e barabartë me një mëditje të pagës bazë bruto të profesorit të rregullt.
- Stafi akademik pjesëmarrës në projekt, mëditja është e barabartë me një mëditje të pagës bazë bruto të profesorit të asocuar.
Kompensimi për mëditje për këshilltar të jashtëm është e barabartë me një mëditje të pagës bazë bruto të Zyrtarit Kryesor Administrativ (ZKA) të institucionit.
Kompensimi për mëditje për studentët është e barabartë me një mëditje të pagës bazë bruto të ligjëruesit të rregullt në UShAF.
Financimi i projektit do të bëhet në tri faza:
- 50% e shumës alokohet pas nënshkrimit të projektit. Raporti fillestar duhet të bëhet nga bartësi i projektit me aktivitetet e planifikuara.
- 30% pas miratimit të raportit intermediar (aktivitetet e realizuara dhe të planifikuara për fazën e ardhshme).
- 20% pas përmbylljes me sukses të projektit (aprovimit të raportit final).
Mund të aplikohet deri në vlerë prej 10,000.00 €(dhjetë mijë euro)
Kohëzgjatja maksimale e realizueshmërisë është 19 dhjetor 2025.
Kriteret e vlerësimit
Aplikimet që kalojnë vlerësimin teknik/administrativ do të vlerësohen sipas kritereve si në tabelën e mëposhtme.
Përfituesit do te përzgjidhen mbi bazat konkurruese ne përputhje me kriteret e vlerësimit.
Tabela 1. Kriteret e vlerësimit
Kriteri i vlerësimit | Pikët | |
1 | Përshkrimi i projektit dhe audienca e synuar direkte | (Vlerësimi: 0-10 pikë) |
2 | Qëllimi, Objektivat, Aktivitetet dhe Planifikimi kohor | (Vlerësimi: 0-15 pikë) |
3 | Kualifikimi dhe Eksperienca e Ekipit të Projektit | (Vlerësimi: 0-15 pikë) |
4 | Menaxhimi i Projektit | (Vlerësimi: 0-10 pikë) |
5 | Menaxhimi financiar i planifikuar | (Vlerësimi: 0-10 pikë) |
6 | Rezultatet dhe Përfundimet | (Vlerësimi: 0-15 pikë) |
7 | Qëndrueshmëria | (Vlerësimi: 0-10 pikë) |
8 | Inovacioni dhe kreativiteti | (Vlerësimi: 0-5 pikë) |
9 | Impakti Social ose Ekonomik | (Vlerësimi: 0-3 pikë) |
10 | Tema ndërsektoriale dhe relevanca me fushat e studimit në UShAF | (Vlerësimi: 0-3 pikë) |
11 | Projekti udhëhiqet nga një (femër) | (Vlerësimi: 0-2 pikë) |
12 | Përfshirja e minimum dy studenteve | (Vlerësimi: 0-2 pikë) |
Shënim: Të gjithë përfituesit e projekteve janë të obliguar, para marrjes së pjeses se fundit të fondeve, të dorëzojnë në UShAF të gjitha të dhënat parësore, materialet e gjeneruara dhe produktet e krijuara gjatë zbatimit të projektit, si në formë elektronike ashtu edhe në formë të fizike/produkti. Të dhënat, produkti përfundimtar i projektit dhe çdo material i gjeneruar në kudër të projektit do të konsiderohen pronë e UShAF-it, duke siguruar që kontributi i secilit projekt të mbetet i vlefshëm për institucionin dhe komunitetin më gjerë.